E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, konferencë për bashkëpunimin dhe koordinimin rajonal

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Asamblenë Parlamentare të NATO-s, organizon të hënën në Tiranë konferencën dy ditore me temë: "Mbrojtje e Zgjuar - Bashkëpunimi dhe koordinimi rajonal mes vendeve të Evropës Juglindore, grumbullimi dhe ndarja e aseteve të mbrojtjes".

Konferencën do ta përshendesin kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, si dhe David Hobbs, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ndërsa në ditën e dytë të konferencës, ditën e martë, do të përshëndesë Dr. Karl Lamers, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në konferencë do të marrin pjesë delegacionet në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga Shqipëria, Austria, Bosnje Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Turqia, si dhe zv/Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Dr. Karl Lamers, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, David Hobbs, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-PA, ambasadori Alexander Vershbow, ambasadorët e akredituar në Tiranë, etj.

Në mbyllje të konferencës pritet një deklaratë e përbashkët dhe një konferencë për mediat.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›