E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri ne panairin per Diten Nderkombetare te Tokes

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, në rrugën pedonale  "Murat Toptani" në Tiranë, ku ishte çelur edhe një panair me materiale të riciklueshme, që i kushtohet sensibilizimit për mbrojtjen e mjedisit. 

Kryeministri Berisha, i cili u prit nga Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu dhe Ambasadori Austriak Florian Raunig, u ndal në stendat e ngritura nga shoqatat e ndryshme si ato të edukimit mjedisor apo shoqatat e ricikluesëve të Shqipërisë dhe duke bashkëbiseduar me drejtuesit e tyre, Kryeministri  i përgëzoi ata dhe shprehu vlerësimin e tij për punën, që ata bëjnë dhe theksoi se çështjet e mjedisit janë jetike dhe se është e domosdoshme, që qytetarët shqiptarë të dëshmojnë vetëdije të lartë se, mjedisi është një çështje parësore e shëndetit, por edhe e imazhit të vendit.  "Është e nevojshme që të gjithë së bashku të bëjmë gjithçka për një qëndrim tjetër ndaj mjedisit. Gradualisht të ngremë nivelin e vetëdijes pasi mjedisi është jeta dhe asgjë nuk është e lidhur me shumë me shëndetin tonë me jetën tonë, me bukuritë, dhe çdo gjë tjetër sesa qëndrimi ynë ndaj mjedisit", theksoi  Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh se çdo qytetar kudo që ndodhet, ka mundësi dhe ka në dorë të japë ndihmesën e tij për ta bërë këtë vend më të  bukur më të shëndetshëm dhe më dinjitoz. "E vërteta është se nuk kërkon asgjë tjetër veçse atë pastërti që kemi në shtëpitë tona të vendosim ta kemi edhe përreth shtëpive tona, si në mjedisin ku punojmë, në mjedisin ku jetojmë, në mjedisin ku ecim. Jam optimist pasi shoh një gjallërim real tek të rinjtë dhe të rinjtë, kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në ndryshimet rrënjësore të psikologjisë dhe unë për këtë ju falenderoj shumë", u shpreh kryeministri Berisha.

Ky aktivitet organizohej nga Shoqata e Edukimit Mjedisor "Eden" me mbështetjen e Ambasadës Amerikane  asaj Austriake dhe Bashkisë së Tiranës, në të cilin merrnin pjesë edhe Shoqatat e Ricikluesëve të Shqipërisë si dhe organizata të tjera nga shoqëria civile etj. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›