E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë më 3 mars

Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 14:50

Kërkesa e Qeverisë së Kosovës që Kuvendi të marrë një vendim për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për vitin 2010 për të mbuluar edhe muajin mars, do të diskutohet nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare më 3 mars.

Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e mbajtur të premten, me ç’rast ka diskutuar edhe për çështjen e formimit të komisioneve, përkatësisht zvogëlimin e numrit të tyre. Sipas kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, numri i komisioneve do të zvogëlohet nga 16 në 12, e ndoshta edhe më shumë.

“Sot e patëm një mbledhje ku biseduam për formimin e komisioneve dhe kërkuam që grupet parlamentare të përgatiten që ta bëjnë një zvogëlim të numrit të komisioneve nga 16 në 12, ndoshta edhe më pak, kurse një çështje tjetër, një vendim të qeverisë për shfrytëzimin buxhetor për muajin maj, ne u dakorduam që ta bëjmë një seancë plenare më 3 mars, ku shpresoj që Kuvendi do ta miratojë këtë kërkesë dhe këtë vendim të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Jakup Krasniqi, transmeton KosovaPress.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që të kërkojë nga Kuvendi që të zgjatet ndarja buxhetore e vitit 2010 për të mbuluar edhe muajin mars. Një vendim të tillë, Qeveria e ka marrë konform Ligjit për financa publike, i cili parasheh që në rast të shtyrjes së miratimit të buxhetit të mund të shfrytëzohet 1/12 pjesë e buxhetit të vitit paraprak.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›