E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe miraton me konsesus, Kodin Zgjedhor.

  Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e martë, 18 Nëntor 2008,ora 17.00, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe procedoi me këtë rend dite:
 
1.Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 13.11.2008. 2.Projektligji Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë". Projektligji për Kodin u hartua nga Komisioni parlamentar i Posaçëm për Kodin Zgjedhor,  i ngritur me vendim të Kuvendit nr.192, të datës 30.06.2008 Grupi i ekspertëve iu referua legjislacionit të vendeve që zbatojnë sisteme të ngjashme zgjedhore dhe shqyrtimit të të gjitha rekomandimeve ndërkombëtare në fushën e zgjedhjeve.
Puna për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor me 185 nene kaloi në tri faza: (I) negocimi dhe përgatitja e draft-neneve nga grupi i ekspertëve; (II) prezantimi dhe diskutimi i neneve në Komision, i cili i miratoi ato, apo në raste të veçanta rekomandoi sygjerime për tu përfshirë në variantin përfundimtar të
projektligjit nga ekspertët; (III ) miratimi nga Komisioni i tekstit integral të projektligjit. Në fjalën e tij, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Kodin Zgjedhor deputeti demokrat Ilir Rusmaili tha  se Kodi i ri është një produkt ekzemplar shembullor i kompromisit politik, që  sipas tij ka sakrifikuar çdo interes të ngushë partiak.
" Partia Demokratike ka sakrifikuar shumë interesat e saj partiake, si psh tërheqja nga sistemi preferencial mazhoritar, në funksion të standarteve për zgjedhje të lira dhe demokratike.Kemi përpara një material i punuar me shumë kujdes, kompetencë dhe i bazuar në dokumentat më të rëndësishëm europiane për proceset zgjedhore. " tha ndër të tjera zoti Rusmaili. Bashkëkryetari tjetër i Komisionit , deputeti socialist Fatmir Xhafa tha se kodi është hartuar në përputhje me kërkesat e të gjitha grupeve të interesit, dhe ekspertët ligjorë i janë referuar praktikave më të mira ndërkombëtare, duke plotësuar afro 90 % të rekomandimeve të OSBE/ ODHIR
 " Rregullat e lojës të përcaktuara në kod  nuk cënojnë votat e asnjë force politike, secila parti do të marrë vendin që i takon në Parlamentin e ardhshëm. Formula e Komisioneve të zonave zgjedhore nuk ka ndryshuar nga ajo e përcaktuar në zgjedhjet e 2003, e cila nuk është kontestuar as nga faktori politik dhe as nga ai ndërkombëtar. " Kryetari i LSI Ilir Meta, tha ndër të tjera se "Kodi është në kundërshtim tërësisht me rekomandimet e OSBE, ODHIR, për zgjedhjet e vitit 2005 të cilat sipas tij kërkojnë që komisionet zgjedhore të mos zotërohen nga dy partitë e mëdha" "Dua t'ju siguroj se ky kod që po miratoni është një përgjegjësi shumë e madhe për të dyja forcat politike" Kryetari i Grupit parlamentar Demokrat Astrit Patozi tha se kodi i ri zgjedhor përbën koncetrimin e një vullneti të jashtëzakonshëm politik për të patur zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri.
"Me këtë kod ne shtrojmë rrugën e sigurt dhe të garantuar drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si objektiv madhor i politikës.
Unë në emër të mazhorancës jap garancitë maksimale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme". u shpreh deputeti Patozi. Në emër të Grupit parlamentar Socialist , kryetarja Valentina Leskaj tha se për herët të parë në historinë e pluralizmit në Parlamentin shqiptar forcat politike sjellin një kod zgjedhor pa ndërmjetësimin tradicional të ndërkombëtarëve dhe pa konflikte të tejzgjatura.
"Hartimi i kodit tetë muaj para zgjedhjeve e vendos procesin ne standarte nomale dhe të sigurta. Është një reformë që solli një fazë të re të emancipimit të dialogut politik- deklaroi zonja Leskaj. Deputetët miratuan me 112 vota pro Kodin e ri Zgjedhor. Seanca plenare i mbylli punimet në orën 22.10    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›