Komisioni për Ekonominë dhe Financat miraton buxhetin faktik të shtetit, të vitit 2007
Në mbledhjen e datës 1 tetor 2008, Komisioni për Ekonominë dhe Financat diskutoi këto çështje:
1)Projektligji "Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit, të vitit 2007";
2)Raporti i KLSH per zbatimin e buxhetit te shtetit te vitit 2007.
Të ftuar në mbledhje, për të mbrojtur të dy raportet, ishin Ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku. Komisioni dëgjoi prezantimin e të dy raporteve dhe më tutje kaloi në pyetje dhe diskutime.
Deputetët e opozitës kundërshtuan raportin e paraqitur nga Qeveria, për realizimin e buxhetit të vitit 2007, duke paraqitur këndvështrimet e tyre në lidhje me shifrat dhe me performancën në përgjithësi. Gjithashtu, ata kërkuan që gjatë hartimit të buxhetit të shtetit për vitin 2009, të mbahen në vëmendje ato mangësi që janë vënë re në disa fusha të veçanta.
Zoti Bode dhe deputetët e maxhorancës, mbrojtën shifrat e paraqitura, duke parashtruar arritjet ekonomike të jo vetëm këtij viti, por dhe ato të arritura gjatë 3 viteve të fundit, si dhe duke theksuar se ato janë realizuar në kushtet e uljes së barrës fiskale.
Deputetët mbështetën punën e bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për kontrollin e zbatimit të buxhetit, si dhe për paraqitjen e këtij raporti.
Komisioni paraqiti vërejtje dhe rekomandime, të cilat të dy institucionet duhet t`i kenë në vëmendjen e punës së tyre të mëtejshme.
Të dy raportet u miratuan me të gjitha votat pro.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin : +355 4 22 78 289.)