Kuvendi mbyll punimet për vitin 2011. Topalli falënderon deputetët për votën konsensuale në Kuvend gjatë 3 muajve të fundit

Kuvendi zhvilloi sot seancën e fundit parlamentare për vitin 2011. Rrëzohet propozimi i opozitës për heqjen e TVSH për produktet ushqimore. Votohet me konsensus Avokati i Popullit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: Përshëndes konsensusin mazhorancë – opozitë, miratuam ligje të rëndësishme
UPDATE- Kuvendi i Shqipërisë mbylli sot punimet për vitin 2011 me miratimin konsensual të emrit të Igli Totozanit në postin e Avokatit të Popullit. Plotësimi i vendit vakant i një institucioni të rëndësishëm kushtetues ishte një tjetër moment i bashkëpunimit mazhorancë – opozitë, pas marrëveshjes dypalëshe në muajin nëntor, për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe plotësimin e vendeve vakante në institucionet kushtetuese. Në mbyllje të seancës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi deputetët dhe familjet e tyre për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2012. Ajo falenderoi deputetët për punën dhe bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës në muajt e fundit. “Gjatë këtyre dy viteve kemi kaluar 400 ligje dhe këtë vit rreth 207 ligje e vendime. Kemi kaluar me konsensus 4 kode. Vlerësoj ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”- u shpreh Kryetarja Topalli. Ky sesion parlamentar i mbyllur sot, sesioni i pestë parlamentar i legjislaturës së XVIII, shënoi në javët e fundit nisjen e disa prej reformave të kërkuara parlamentare, të cilave ua ndezi dritën jeshile kompromisi i arritur mes mazhorancës dhe opozitës. Kështu pjesë e konsensusit pozitë-opozitë u bënë ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, për reformën parlamentare, miratimi i disa ligjeve me 3/5, siç ishin Kodet e Republikës së Shqipërisë, njëri syresh ai Penal pritet të shqyrtohet në muajin janar të vitit të ardhshëm, kur do të nisë edhe sesioni i ri i Kuvendit, pas festave të fund vitit dhe pushimeve dimërore.
Pas seancës Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ftoi deputetët në një koktej festiv në mjediset e Kuvendit. Sipas rregullores parlamentare, sesioni i ri i Kuvendit do të rinisë punimet në javën e tretë të muajit janar.
Bode: Heqja e TVSH, PS kërkon të fuqizojë bizneset e saj për zgjedhjet e 2013-ës
Ministri i Financave Ridvan Bode ka kundërshtuar sot në seancë plenare, nismën e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Bode e cilësoi propozimin si dogmë politike që synon të mbrojë interesat e konsumatorëve, por të bizneseve pranë lidershipit socialist. Sipas Bodes, opozita po kërkon të manipulojë shqiptarët me shifrat duke i fshehur atyre të vërtetën. “Kjo që grupi juaj po ofron sot është një falsë demagogjike. Dua t`ju kujtoja se sado të manipuloni me shifrat nuk mund të fshihni të vërtetën. Në çdo pikëpamje është e përcaktuar edhe qëllimi demagogjik që ku po thoni këtu sot. Nisma që ju thoni është një dogmë pa asnjë vlerë praktike për qytetarët por në dëm të ekonomisë”- tha Bode. Ai ka theksuar gjithashtu se kreu i PS-së Edi Rama ka një mani për të kopjuar kryeministrin Berisha në kohën kur ai ishte në opozitë. “Ju keni një mani që të kopjoni Berishën në çdo gjë. Ka qënë Berisha që në 2004 ka propozuar heqjen e TVSH-së dhe ju e hodhët poshtë. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk e sjell dot më në pushtet Edi Ramën sepse shqiptarët e kanë një Sali Berishë që e kanë votuar në mënyrë permanente”- ka shtuar më tej ministri i Financave, Ridvan Bode.
...