Kuvendi më 7 shtator, Berisha refuzon hapjen e punimeve
Presidenti i Republikës ka dekretuar dje thirrjen e Kuvendit të ri të hënën e ardhshme, në orën 18.00.
TIRANË - Pavarësisht debateve për legjitimitet ose jo të institucioneve që do të "lindin" nga zgjedhjet e 28 qershorit, Kuvendi i Shqipërisë do të hapë të hënën siparin e legjislaturës së XVIII për një mandat kushtetues katërvjeçar 2009-2013.
Presidenti i Republikës ka dekretuar dje thirrjen e Kuvendit të ri të hënën e ardhshme në datën 7 shtator, në orën 18, ku dhe pritet të mbahet seanca e parë plenare, ku natyrisht, opozita ka paralajmëruar bojkotin.
Seanca
Në bazë të dekretit presidencial, 140 deputetët e mandatuar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit janë ftuar që të hënën të marrin pjesë në seancën e parë plenare të sesionit të ri parlamentar, 82 nga të cilët do të kenë mundësi të ulen për herë të parë, pasi kanë marrë mandatin e parë si përfaqësues të popullit.
Mbledhja e parë, natyrisht, ashtu siç edhe parashikon rregullorja e Kuvendit, do të jetë procedurale dhe në të nuk mund të zhvillohet debat.
Seanca e parë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, që kësaj here si për ironi do të jetë pikërisht kreu i mazhorancës, Sali Berisha. Berisha rezulton të jetë deputeti më vjetër, jo vetëm në mandate, por edhe në moshë, pasi ka lindur më 15 tetor 1944. Mirëpo ky i fundit ka deklaruar dje se nuk do të pranojë drejtimin e seancës.
Rregullorja parashikon që mbledhja të drejtohet nga deputeti, që është pas tij më i vjetër në moshë, që në këtë rast rezulton të jetë Namik Dokle, i datëlindjes 11.3.1946. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, edhe Dokle nuk do të marrë pjesë në drejtimin e punimeve të Kuvendit, pas qëndrimeve paraprake për bojkot nga ana e Partisë Socialiste.
Në këtë mënyrë, të drejtën për të drejtuar hapjen e punimeve, i bie që ta ketë një tjetër deputet më i ri në moshë, që i përket grupit parlamentar të PD-së, që më shumë gjasë mund të jetë Tritan Shehu ose Ridvan Bode.
Ndërkohë, tre ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Përbërja e sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Menjëherë, Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe duhet për sa është e mundur të përfaqësojë përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve.
Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.
Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Betimi
Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin sipas një teksti të posaçëm, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen në këmbë dhe të deklarojnë: "Betohem".
Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë, në të cilën marrin pjesë. Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit, kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit, ku kandidat për kryetar propozohet nga të paktën 15 deputetë dhe ku një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat.
Pas administrimit të kandidaturave, kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë deputetëve. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.
Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi, i përbërë prej 5 deputetësh, që pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen edhe detyrën e kryetarit të komisionit të votimit dhe shpall rezultatin e votimit.
Në përfundim të votimit dhe numërimit të votave, drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij. Kuvendi i ri, përveç numrit të madh të deputetëve të rinj, pra rreth 60 për qind e tyre, do të njihet edhe si Kuvendi me përfaqësimin më të madh të grave, plot 21, ndër të cilat 11 socialiste dhe 10 demokrate.