E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miratoi marrëveshjen me Bankën Botërore

Nga Express më 06 maj 2011 në ora 11:21

Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave miratoi sot marrëveshjen e Kosovës me Bankën Botërore për marrjen e 20.2 milionë dollarë në formë të kredisë. U tha se kjo marrëveshje do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Qeveria e Kosovës do të marrë mbi 20 milionë dollarë nga Banka Botërore pasi që deputetet e Kuvendit kanë miratuar ketë marrëveshje me mbi 100 vota.

Në votim për ketë marrëveshje morën pjesë të gjitha grupet parlamentare.

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, tha se miratimi i kësaj marrëveshje me Bankën Botërore si dhe të pesë marrëveshjeve të tjera do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, e po ashtu sipas tij, do të përmirësojnë mirë qeverisjen në vend, transmeton Telegrafi.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Imeri, tha se do ta mbështesë marrëveshjen e Bankës Botërore. Përveç, marrëveshjes në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe UNCTAD-it. Por ai tha se kjo është marrëveshja e fundit që mbështet ky grup parlamentarë pasi që siç tha ai Kosova më nuk ka nevojë për mbështetje teknike.

Marrëveshja ishte miratuar të mërkurën nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore për kredi dhe grant në vlerë prej 20.2 milionë dollarë.

Kuvendi ratifikoi edhe pesë marrëveshje të tjera ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ratifikoi sot edhe pesë marrëveshje të tjera, të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Ministri i Financave, Badri Hamza ka theksuar se këto marrëveshje do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së jetës së qytetarëve të Kosovës, ndërkaq edhe grupet parlamentare kanë shprehur mbështetjen e tyre, duke thënë se këto marrëveshje janë në interes të shtetit të Kosovës.

Ministri Hamza gjatë prezantimit të këtyre marrëveshjeve ka thënë se ato nuk i dedikohen asnjë subjekti politik, apo institucioni, por u dedikohen gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Këto marrëveshje nuk i dedikohen ndonjë subjekti politik, ndonjë institucioni, por gjithë qytetarëve të Kosovës. Andaj është shumë i rëndësishëm ratifikimi tyre, sepse do të ndikojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës të të gjithë qytetarëve të Kosovës, do të ndikojnë në transparencën, qeverisjen e mirë dhe hapjen e mundësisë për bashkëpunim në të ardhmen me këto institucione ndërkombëtare”, ka thënë Hamza.

Hamza ka theksuar se me këto marrëveshje do të mundësohet realizimi i shumë projekteve që do të ndikojnë direkt në ngritjen e mirëqenies sociale, ngritjen e kapaciteteve profesionale, uljen e papunësisë etj.

Grupet parlamentare kanë mbështetur këto marrëveshje, duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka mbështetur Marrëveshjen në mes të Qeverisë së Kosovës dhe UNCTAD (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për projektin e softuerit ASYCUDA).

Gjashtë marrëveshjet e ratifikuara në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e deputetëve janë: Marrëveshja për financim dhe grante ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore e 11 marsit 2011, Marrëveshja në mes të Qeverisë Republikës së Kosovës dhe UNCTAD (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për projektin softueri ASYCUDA), Marrëveshja për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim, Marrëveshja në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe KFW - Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit Regjional-Prishtina, Marrëveshja bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës të Madh të Luksemburgut dhe Marrëveshja për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim.

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën e sotme me debatin për situatën e sigurisë në vend dhe sundimin e ligjit, sipas kërkesës së deputetit të PDK-së, Nait Hasani i mbështetur edhe nga një grup deputetësh tjerë, raporton KosovaPress.

Po ashtu në rend dite është edhe shqyrtimi i tri raporteve, atij të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, raporti vjetor i Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina dhe raporti i punës të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›