Sëmundja pa shifra
Një orë të plotë kanë folur për sëmundjen më aktuale dhe të rrezikshme, që është kanceri, por askush prej tyre nuk e ka as idenë për të thënë se sa është numri i atyre që vuajnë nga kjo sëmundje. Përgjegjësit kryesorë për sistemin e shëndetësisë në vend, si ministri Ferid Agani apo Elvis Ahmeti, koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit kundër Kancerit, të enjten, edhe pse dolën para medieve për të folur për këtë sëmundje, nuk patën shumë detaje për të dhënë.
Të mbledhur në Ministrinë e Shëndetësisë, ata folën para medieve duke i njoftuar nëpërmjet tyre qytetarët e vendit rreth sëmundjes së kancerit dhe punët që ata po bëjnë për parandalimin e saj. Por Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, Besim Sllamniku, kryetar i Shoqatës së Onkologëve bashkë me ekipin e tij si dhe Elvis Ahmeti, koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit kundër Kancerit, nuk ishin në gjendje që jo vetëm të tregojnë se sa është numri i kosovarëve të prekur nga kjo sëmundje e rëndë, por as sa është numri i atyre që kanë vdekur.
Arsyetimet pse ata nuk kanë ndonjë statistikë zyrtare për këtë sëmundje kanë qenë të ndryshme, sikurse ato që kanë thënë paraardhësit e tyre në këto poste. Më së shpeshti, të gjithë janë arsyetuar me vonesën e regjistrimit të popullsisë në Kosovë. Në fakt, ky arsyetim u përdor edhe të enjten në këtë konferencë. Sipas këtyre zyrtarëve, meqë Kosova nuk e ka regjistruar popullsinë deri më tash, atëherë as kjo e dhënë nuk është e ditur. Por, duket se përgjigjja për këtë çështje nuk do të mësohet as pas qershorit, kur pritet të publikohen rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë. Në formularët e përdorur gjatë regjistrimit nuk ka pasur pyetje lidhur me kancerin. Sidoqoftë, ministri Agani e pranoi se mungesa e statistikave për këtë sëmundje është një e metë e madhe për vendin.
“Një e metë e madhe e momentit është mungesa e të dhënave të sakta për incidencën e sëmundjeve malinje në vendin tonë, pra mungesa e regjistrit të kancerit që është një dukuri e cila nuk e cilëson vetëm Kosovën, por edhe shumë shtete të tjera në zhvillim”, tha ministri Agani. Sipas tij, kjo nuk është ngushëlluese, por nga vitet e para të mandatit të tij ka paraqitur një obligim që të fillohen aktivitetet në këtë drejtim.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, është zotuar se ministria që ai drejton do t’i qaset në mënyrë sistematike ballafaqimit me sëmundjen e kancerit dhe në këtë aspekt do të fillojë përpilimi i strategjisë për ballafaqimin me këtë sëmundje. Agani ka thënë se lufta e deritanishme kundër kancerit ka qenë e fragmentuar për shkak të mungesës së resurseve financiare dhe humane e profesionale, ndërsa një prej të metave të mëdha përmendi mungesën e shifrave të sakta të të sëmurëve me kancer në Kosovë. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë së shpejti do t’i qaset në mënyrë sistematike ballafaqimit me sëmundjen e kancerit dhe do të fillojë përpilimi i strategjisë për ballafaqimin me kancerin, e cila parasheh diagnostikimin e hershëm dhe aplikimi e skrining vizitave sistematike për të parandaluar kancerin, me theks të veçantë kancerin e gjirit dhe kancerin e qafës së mitrës.
“Mungesa e mjeteve financiare dhe mungesa edhe e kancer-regjistrit nuk është problem vetëm për Kosovën, por edhe për shumë vende të rajonit e botës”, ka thënë Ministri Agani, duke përmendur edhe Institutin Onkologjik, ku është harxhuar energji e madhe dhe rezultatet aty nuk janë ato për të cilat është investuar. Megjithatë, ai ka theksuar se aplikimi i centralizuar i kimioterapisë është një hap i mirë dhe do të shikohen të gjitha mundësitë, edhe forma e partneritetit publiko privat, që Instituti të funksionalizohet në tërësi dhe në Kosovë të aplikohet radioterapia në sektorin publik. Ndërsa Elvis Ahmeti, koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit kundër Kancerit, ka thënë se përpjekjet për të filluar me hartimin e regjistrit të kancerit koincidojnë me një numër vizitash që ai me ekipin e tij kanë zhvilluar në SHBA. Në këtë aspekt, ai përmendi që Kosova është pjesë e një granti të SHBA-ve për zhvillimin e regjistrit të kancerit.
“Neve afati na është dhënë nga State Departamenti që projekti të përfundojë në qershor të vitit 2012. Ne kemi vendosur kritere pak më strikte dhe mendojmë që deri në fund të vitit kjo punë të përfundojë. Puna ka të bëjë me përpilimin e kancer regjistrit dhe trajnimet që kanë me u bërë në dhjetë qendra kryesore të mjekëve”, ka thënë ai.
E Besim Besimi, kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, pos që ka treguar se kjo shoqatë ka mbajtur disa simpoziume për kancerin, nuk është bërë asgjë tjetër. As kryetari i Onkologëve të Kosovës nuk ka asnjë të dhënë zyrtare se sa kosovarë janë të prekur nga sëmundjet malinje.
Ai ka paralajmëruar se më 2012 në Kosovë do të mbahet Kongresi i tretë ndërkombëtar kundër kancerit, ndërkohë që ka theksuar se shoqata do të ndihmojë edhe në promovimin e atyre parimeve që ndihmojnë në luftën sa më efikase kundër kësaj sëmundjeje shumë problematike.