LB përkrah Moisiun, Kosova - krahinë e Shqipërisë

Lëvizja për Bashkim (LB) ka përshëndetur deklarimet e ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, për bashkim kombëtar.
“Tashmë për herë të dytë Alfred Moisiu, kryetar i Republikës së Shqipërisë në mandatin e kaluar, shprehet qartazi për bashkim kombëtar. Lëvizja për Bashkim e përshëndet këtë qëndrim dhe është e bindur se çdo politikan me dinjitet është për këtë ide”, thekson kjo parti politike, nëpërmes një komunikate shtypi.
Por Lëvizja për Bashkim dëshiron të sqarojë lidhur me fjalorin e (keq)përdorur nga disa analistë e politikanë, pas këtij qëndrimi të ish-kryetarit Moisiu.
“Kur thuhet: “Kosova është krahinë e Shqipërisë”, nuk është bërë asnjë gabim. Aq më tepër nuk është bërë asnjë fyerje e Kosovës apo nënvlerësim i saj. Të gjithë anëtarët e idesë së bashkimit kombëtar, por edhe ata që nuk janë anëtarë të kësaj ideje duhet ta dinë se edhe Republika e Shqipërisë, edhe Kosova duke qenë pjesë të Shqipërisë, përbëhen njëkohësisht edhe nga krahina të ndryshme po ashtu të Shqipërisë”.
Me fjalë të tjera, “Kosova është krahinë e Shqipërisë” do të thotë: Kosova është Shqipëri, thekson Lëvizja për Bashkim.
Moisiu: Kosova, krahinë e Shqipërisë
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka ripërsëritur të enjten në Prekaz qëndrimin e tij të mëhershëm se Kosova është krahinë e Shqipërisë dhe se ky është realitet e jo një thënie e shpikur nga ai.
“E kam thënë edhe më parë, që Kosova është krahinë e Shqipërisë, kështu ka qenë, nuk është se po e shpik unë. Ky është një realitet. Nuk duhet të kemi frikë dhe nuk duhet të druhemi që ta themi, sepse kjo është një e vërtetë historike“, tha Moisiu pasi bëri homazh në Kompleksin Memorial në Prekaz në kuadër të 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve.
Ai më tej shtoi se Kosovës por edhe gjithë shqiptarëve ende nuk i janë zhdukur rreziqet dhe se ato, sipas tij, mund të zhdukën vetëm me punë dhe angazhim të përbashkët.
Në kuadër të 5 Majit - Ditës së Dëshmorëve, Kompleksin Memorial në Prekaz e kanë vizituar sot qytetarë të shumtë dhe personalitete të ndryshme politike. Ndër ata që kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Prekaz ishte edhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.