E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton buxhetin për vitin 2010

PRISHTINE- Deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e fundit për vitin 2009, me 66 vota pro, 4 kundër dhe pa asnjë abstenim kanë sot buxhetin për vitin 2010, në vlerë prej 1 miliard e 461 milionë euro. Me hapjen e diskutimeve për buxhetin e vitit të ardhshëm, ishin deputetet e pozitës që kanë dhënë arsyetimet e tyre për të mbështetur dhe votuar buxhetin, ndërsa ato opozitare shprehën kundërshtimet e tyre. Në fillim të seancës, shefi i Grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës pika e buxhetit, për faktin se nuk janë respektuar procedurat. “Janë procedurat parlamentare që duhet të respektohen. Sipas tyre një ditë më parë ka qenë dashtë të bëhet dorëzimi i materialeve për projekt-buxhetin për vitin 2010 dhe kjo nuk është respektuar”, u shpreh Makolli. Para se të miratohej në tërësi buxheti, janë miratuar një pas një edhe 39 amendamente dhe rekomandimet e Komisionit për buxhet dhe financa për buxhetet e organizatave buxhetore, si Gjykatën Kushtetuese, Avokatin e Popullit, ART-në, Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, etj. Ndërkaq, grupet parlamentare nga tri partitë opozitare, ai i AAK-së, AKR-së dhe LDD-së kanë dalë nga salla e Kuvendit në kohën kur kanë filluar procedurat për votimin e buxhetit për vitin 2010. Me këtë seancë, Kuvendi i Kosovës e përmbyll punën e tij për vitin 2009, gjatë të cilit janë miratuar mbi 40 ligje . Ndërkaq vitin 2010 Kuvendi do ta nisë me një seancë solemne me rastin e vizitës së presidentit në largim të Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili do të mbajë një fjalim para ligjvënësve të Kosovës.(e.n/telegrafi/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›