Dita e Hashures, Berisha e Topi urojnë besimtarët Bektashinj
TIRANë- Kryeministri Sali Berisha uroi sot besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Hashures. Gjatë një vizite në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, me rastin e Ditës së Ashures, Kryeministri Berisha i përcolli Kryetarit të Kryegjyshatës Baba Dede Reshat Bardhi dhe të gjithë besimtarëve bektashinj urimet më përzemërta për këtë ditë të shenjtë, si dhe i uroi atyre festat e fundvitit; bëri të ditur zyra e shtypit e qeverisë. “Të gjithë bektashinjve shqiptarë u uroj nga zemra gëzuar këtë ditë të madhnueshme, ditë të bekuar, Ditën e Ashures. Kjo është një ditë për të shprehur nderimin më të madh për veprën e ndritur të bektashinjve në historinë tonë kombëtare, për ndihmesën e tyre të madhe në tolerancën fetare, por edhe atdhetarinë që ka karakterizuar në të gjitha kohërat bektashizmin shqiptar", u shpreh Berisha. Edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Hashures. Pas takimit me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe krerët e tjerë bektashinj, Presidenti Topi përcolli në një prononcim urimet për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë, kudo ata ndodhen. “është një ditë e shënuar, dhe jo vetëm për besimtarët bektashinj, por për të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilët festojnë festat e njëri- tjetrit”, u shpreh Presidenti Topi. (e.n/BalkanWeb)