E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton dy ligjet e para me 3/5-at

18/11/2011  Marrëveshja mes PD-së dhe PS-së

Marrëveshja dypalëshe PD-PS e 14 nëntorit për reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar është konkretizuar dje në Kuvend. Deputetët në seancën e djeshme plenare me konsensus të plotë votuan për ngritjen e komisionit parlamentar zgjedhor si dhe disa ndryshime ligjore në Kodin Ajror dhe Kodin Hekurudhor. Sa i përket votimit, Kodi Hekurudhor u miratua me 123 vota pro dhe 2 abstenime nga Erion Braçe dhe Dashamir Peza. Ndërsa Kodi Detar mori 116 vota pro, 1 votë kundër nga kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi dhe 10 abstenime të deputetëve të PS-së ( Valentina Leskaj, Ilir Gjoni, Piro Lutaj, Skënder Hasa, Arben Ahmetaj, Arben Isaraj, Pandeli Majko, Taulant Balla, Erion Braçe dhe Dashamir Peza).

Kështu, mazhoranca dhe opozita kaluan dje provën e parë të besimit, duke i hapur rrugë procesit të bashkëpunimit mes tyre për realizimin e reformave integruese të vendit. Ngërçi politik, si shkak e mungesës së dialogut, ishte dhe arsyeja kryesore e refuzimit për të dytin vit radhazi nga ana e Komisionit Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për në BE.

Ruçi: Pse votova kundër

I vetmi që votoi kundër ligjeve me shumicë të cilësuar prej 84 votash ishte kreu i grupit të PS-së Gramoz Ruçi. Në argumentimin e votës së tij Ruçi theksoi se opozita do t’u përmbahet marrëveshjes së arritur me mazhorancën, por i bëri thirrje mazhorancës që të ndalojë veprimet antiligjore të asaj që ai e cilësoi si vjedhje të votës në ngritjen e këshillave të qarqeve në Fier dhe Gjirokastër. “Ndërkohë që opozita dhe pozita ulen dhe nënshkruajnë një marrëveshje, shprehin dakordësinë e tyre, nga ana tjetër mazhoranca jo më larg se dje në qarkun e Fierit, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, në kundërshtim të plotë me dy vendime të gjykatave për të njëjtin qark, kryen një akt banditesk duke uzurpuar këshillin e qarkut të Fierit. Në qoftë se këto veprime banditeske nuk ndalojnë, ne u paralajmërojmë se përgjegjësia politike, morale dhe institucionale do të jetë vetëm e mazhorancës shqiptare”, - tha Ruçi.

BE, Sekui

Debatet dhe miratimi i dy ligjeve që ngrenë siparin e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës, u ndoqën nga ambasadori i BE-së Etore Sekui dhe zëvendësambasadori i OSBE-së Dan Redford. Ambasadorët ishin të pranishëm dje në Kuvendin e Shqipërisë për t’u dhënë parlamentarëve tanë mbështetjen e tyre mbi rëndësinë e këtij procesi. Ambasadori Sekui në një prononcim për mediet tha: “Sot ishte një ditë pozitive për parlamentin shqiptar, pasi konsensusi do të bëjë të mundur realizimin e reformave të rëndësishme të vendit, duke përfshirë edhe atë zgjedhore. Integrimi europian është një prioritet kombëtar. Janë 12 prioritete kyçe, që priten të zbatohen, por ne jemi mjaft të inkurajuar nga sinjalet e sotme pozitive në parlament, pasi rruga drejt BE-së është një rrugë që ndërtohet mbi bashkëpunimin dhe konsensusin dhe e bazuar në dialog.”

Ligji për bankat

Po me konsensus dhe vetëm me një votë abstenim (Erion Braçe) deputetët miratuan projektligjet “Për sigurinë e përgjithshme të produkteve joushqimore” dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për Bankat”. Duke u ndalur në rëndësinë që ka sistemi bankar në këtë kohë krize në eurozonë, ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se ligji “Për bankat” rrit sigurinë në këtë sistem. “Sistemi ynë bankar përbën segmentin më stabël të ekonomisë sonë. Ndryshimet janë të sugjeruara nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Zgjerimi i sistemit financiar kërkon edhe ndryshime ligjore”, - deklaroi Bode. Ndryshimet në fjalë synojnë të mbrojnë bankat shqiptare nga risku që vjen nga bankat mëma, që janë të ekspozuara nga kriza. Dhe për këtë Banka e Shqipërisë synon të rrisë pavarësinë e degëve të bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri për të ulur rrezikun e prekjes së degëve shqiptare nga problemet që mund të kalojnë bankat mëmë.

Reforma zgjedhore, ja emrat e anëtarëve të komisionit parlamentar

Seanca plenare nisi dje me rreth 60 minuta me vonesë për shkak të mbledhjes së radhës të Konferencës së Kryetarëve. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, lexoi për deputetët projektvendimin, i cili parashikon mënyrën e funksionimit të komisionit, i cili do të ketë dy bashkëkryetarë: Ilir Rusmali nga mazhoranca dhe Damian Gjiknuri nga opozita. Komisioni do të funksionojë me një afat tremujor dhe në përbërje të tij ka 5 anëtarë nga mazhoranca dhe 5 deputetë nga opozita. Konkretisht në përbërje të tij do të jenë: Ilir Rusmali (PD), bashkëkryetar; Damian Gjiknuri (PS), bashkëkryetar, Viktor Gumi (PD), anëtar; Vangjel Tavo (LSI), anëtar; Fatmir Mediu (PR), anëtar; Shpëtim Idrizi (PDIU), anëtar; Vasilika Hysi (PS), anëtare; Arben Isaraj (PS), anëtar; Armando Subashi (PS), anëtar; Vangjel Dule (PBDNJ), anëtar. Pas leximit të vendimit të Konferencës së Kryetarëve Kuvendi miratoi ngritjen e komisionit për reformën zgjedhore me 130 vota pro.

Komisioni për reformën zgjedhore

Fyle: Një hap i rëndësishëm për kapërcimin e ngërçit

Punimet e Kuvendit në seancën e djeshme plenare, ku parlamentarët shqiptarë konkretizuan marrëveshjen për nisjen e punës për realizimin e reformave, kanë qenë në qendër të vëmendjes së Bashkimit Europian. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, e ka mirëpritur dje vendimin Kuvendit të Shqipërisë për të krijuar një grup parlamentar, i cili do të punojë për reformën zgjedhore, si dhe për kalendarin që përfshin miratimin e ligjeve me 3/5-at. “Do të doja gjithashtu të mirëpres vendimin e Konferencës së Kryetarëve marrë më 14 nëntor për të themeluar një grup parlamentar pune për reformimin e rregullave të procedurës dhe një kalendar për të mbikëqyrur miratimin ime 3/5-at të ligjeve”, - shprehet komisioneri Fyle në një deklaratë të publikuar dje në faqen e tij zyrtare në Komisionin Europian. Sipas Fyles, këto zhvillime së bashku me fillimin e plotë të punës në Kuvend në muajin shtator nënkuptojnë hapa të rëndësishëm për normalizimin e marrëdhënieve politike në vend, të cilat pritet t’i japin fund ngërçit politik në Shqipëri. Gjithashtu në deklaratën e tij komsioneri Fule theksoi se Komisioni Europian shprehet i gatshëm për të vazhduar mbështetjen për përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.

Miratimi i ligjeve me 3/5-at

OSBE, Volfart: Ky është një fillim inkurajues

Kryetari i prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart, duke iu referuar zhvillimeve të djeshme të Kuvendit deklaroi se Shqipëria ka zgjedhur të ndërmarrë një rrugë konstruktive përpara. “E mirëpres vendimin zyrtar të Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përgëzoj të gjitha palët politike për angazhimin e tyre në dialogun e nevojshëm ndërpartiak për arritjen e këtij vendimi. Ky është një fillim inkurajues. Tani është e rëndësishme që të gjitha palët politike të vazhdojnë të punojnë në partneritet të vërtetë në çuarjen përpara të reformës zgjedhore dhe axhendës më të gjerë të reformave”, - tha ambasadori Volfart. Duke ofruar mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson në këtë proces, Volfart u bëri thirrje partive që të bëjnë ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve sipas rekomandimeve të OSBE–ODIHR-it. “I nxis drejtuesit e partive kryesore politike të garantojnë që ky proces, tashmë në rrugë e sipër, të prodhojë një reformë të plotë dhe jetëgjatë deri në pranverën e vitit 2012, bazuar në një konsensus të gjerë. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në procesin e reformës zgjedhore dhe në pjesë të tjera të axhendës së reformave”, - deklaroi dje Volfart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›