E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lini dhe mozaiku i tij, jashtë përkujdesjes

18/11/2011  Fshati është përmbytur nga plehrat, ndërsa askush nuk vë dorë të nxjerrë në pah pasuritë

POGRADEC- Mozaiku i Linit është mjaft i rrallë, në të gjitha zbulimet arkeologjike në vendin tonë dhe si i tillë ka tërhequr dhe tërheq vazhdimisht vizitorë të shumtë. Ai bashkë me bukuritë natyrore, por edhe lokalet e hotelet bashkëkohore të ngritur në brigjet e liqenit e kanë bërë tashmë fshatin Lin të zërë një vend të veçantë në hartën turistike të rajonit të Korçës. Kjo ka gjallëruar edhe turizmin familjar dhe interesin e biznesit për të investuar për zhvillimin e tij. Po kur vizitori shkon në bregun e liqenit, për ta soditur atë nga afër, ose për peshkim, shpesh ndeshet me një kulturë të pamjaftueshme në trajtimin e mjedisit dhe kësaj pasurie të madhe.

Ndotja dhe mozaiku

Plehrat dhe pirgjet e tyre në tërë vijën liqenore e veçanërisht në udhën drejt mullinjve e dëshmojnë më së miri këtë. Interesi i pakët i banorëve për atë që është “jashtë oborrit” të tyre, por edhe qëndrimi indiferent i komunës Hudënisht, janë në kundërshtim të hapur me strategjitë e zhvillimit të ekonomisë nëpërmjet turizmit liqenor. Ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë si kudo tek ne të forta, por askush nuk i zbaton.

Të paktën dikush të thotë dy fjalë për mozaikun e Linit, fotoja e të cilit me një përshkrim të shkurtër, mund të ishin të ekspozuara në një tabelë të vendosur në nyjën e udhës së fshatit, me aksin nacional Qafë-Thanë – Pogradec. Ky mozaik, sipas arkeologut Petrika Lera, daton me kohën e Justinianit, perandor me orgjinë Ilire në shek e VI-të të erës sonë. Mozaiku është i ndërtuar mbi bazën e parimit trinefësh me dy aniodat anësore, të cilat janë abisidale dhe narteksi me dy kapitola në anë. Në mes ndodhet salla kryesore ku zhvilloheshin ceremonitë fetare ku kishte dy vendkalime gjysmë rrethore të shtruara me mozaikë, e cila në qendër ka kupën e Eukaristisë dhe nga anash zbukuruar me degë dhe gjethe rrushi. Gjithashtu në qendër të sallës janë vizatuar peshq e bletë. Para hyrjes në këtë mozaik vihet re një lule me katër petale e vendosur midis katrorësh me gurë të zinj. Lulja është me gurë të kuq dhe rozë me kalime të buta deri në të bardhë ku më pas krijohet ideja e një qilimi të vërtetë. Në sallën kryesore gjen të vizatuar një vazo të madhe me dy pallonj. Ka 15 medalione të gjatë dhe të shkurtër në harmoni, me vazon e rrushit. Gurët e mozaikut formojnë figura, duke lëvizur sipas motiveve. Kështu tërë shtrirja e gurëve, gurët e bardhë të zinj, rozë dhe të kuq të marrë nga zalli i liqenit kanë një dimension prej 1 cm kub secili, ndërsa gurët e kaltër dhe të qelqtë janë përgatitur posaçërisht. Vendosja e gurëve është bërë mbi shtresë harasani me përzierje rërë të ashpër që së bashku me shtesën finë të gëlqeres së vjetër bën që shtresa e mozaikut të arrijë në 4 cm trashësi. Mozaiku i Linit me vlerat e tij unikale ndodhet në hartën arkeologjike evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›