E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton heqjen e doganës për makinat

Me 71 votat e maxhorancës, Kuvendi miratoi paketën e re fiskale për vitin 2011. Në themel të saj janë heqja e doganës për automjetet, rritja e akcizës për karburantet, ulja e akcizës për birrën dhe heqja e tarifës doganore 10 për qind për veshjet.

Taksat e reja të makinave, ku spikat heqja e doganës dhe rritja e çmimeve të naftës, kanë marrë dje miratimin e Kuvendit të Shqipërisë me 71 vota të maxhorancës pa pjesëmarrjen e opozitës. Projektligji tashmë është kthyer në ligj pas botimit në Fletoren Zyrtare nis nga zbatimi në muajin shtator. Taksat e reja të makinave kanë kaluar si paketë fiskale, ku përfshihet zerimi i taksës për veshjet dhe gjithashtu lehtësimi i birrës vendase dhe asaj të importit nga akciza. Me ndryshimet e bëra në ligj, zotëruesit e automjeteve tanimë nuk do të taksohen më për qarkullimin, regjistrimin dhe taksën e makinave të përdorura. Ligji ristrukturon taksën e mjeteve të përdorura, duke u hequr taksa e makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksa vjetore e qarkullimit, taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve. Aplikimi i taksës së re të qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër. Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi dy kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin dhe lëndë djegëse (solarin dhe mazutin). Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 5 lekë litri deri në 31.12.2011, pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin do të jetë në masën 7 lekë litri. Kjo taksë zbatohet si për benzinën dhe gazoilin e importuar, ashtu edhe për ato të prodhuara në vend. Taksa vjetore e mjeteve të përdorura caktohet sipas formulës. Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën. Përsa i përket mjeteve me vjetërsi nga 0-3 vjet, ata përjashtohen nga kjo taksë. Për mjetet, që regjistrohen për herë të parë, taksa llogaritet proporcionalisht për periudhën e mbetur të vitit. 18% e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Pavarësisht se ligji i ri për taksat kombëtare dhe vendore, ku përfshihen taksat e makinave të përdorura që importohen në vend, hyn në fuqi pas muajit shtator të këtij viti ministria e Financave ka vendosur të falë nga fatura doganore të gjithë pronarët e automjeteve që kanë prurë në Shqipëri makina që nga janari 2011. Personat në fjalë do t’i nënshtrohen ligjit të ri të pagimit të taksave. Përsa i përket personave që kanë importuar automjetet përpara muajit janar, deri në fund të dhjetorit 2010, ata përfitojnë nga falja fiskale. Nuk do të falen sipas ligjit, personat që kanë prurë makina nga jashtë në territorin e origjinës, nga janari deri në shtator, por që e kanë paguar taksën doganore. Aktualisht, në zbatim për sistemin e taksave vendore, në vend mjetet e transportit tatohen me katër lloj taksash: taksa e qarkullimit të përvitshëm të mjeteve (taksë kombëtare), taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, taksa e makinave të përdorura të transportit, taksa e karbonit. Ndërsa ndryshimet në ligjin "Për akcizat", synojnë uljen e barrës fiskale në sektorin e prodhimit të birrës në vend. Synohet përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje. Nga 4-7 muaj që ishte, tani do të jetë brenda një muaji. Në rast të kundërt personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e akcizës së pretenduar për rimbursim. Gjithashtu industritë vendase, të cilat përdorin si lëndë të para produkte të akcizës, iu rimbursohet akciza e paguar në blerje. Kuvendi miratoi po ashtu heqjen e tarifës së importit prej 15 % për industrinë e konfeksioneve në vend. Vendimi synon zgjerimin më tej të kësaj industrie. Në seancën e sotme plenare u miratua edhe p/ligji "Për disa ndryshime në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit". Ky projektligj parashikon të drejtën e shoqërive të sigurimit për të përcaktuar në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit, në përputhje me kushtet e tregut të sigurimeve. Aplikimi i këtyre tarifave do të bëhet vetëm pasi të njoftohet zyrtarisht autoriteti i mbikëqyrjes financiare.

Taksat e makinave siç janë:

1-Taksa e qarkullimit të përvitshëm të mjeteve (taksë kombëtare);

2-Taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve (taksë vendore)

3-Taksa e makinave të përdorura të transportit (taksë kombëtare)

4-Taksa e karbonit (taksë kombëtare)

Taksat e makinave si do të bëhen:

-Heqja e taksës së makinave të përdorura (në import dhe në shitje brenda vendit), taksës vjetore të qarkullimit, taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve

Strukturimi i këtyre tre taksave, me taksat si më poshtë,

1-Aplikimi i taksës së re të qarkullimit. Kjo taksë do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin.

2-Strukturim i taksës së karbonit: Taksa e karbonit që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Në këtë mënyrë, do të kemi: Taksa e karbonit do të aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës, me këto nivele taksimi:

1-Gazoil: 3 lekë për litër

2-Benzinë: 1.5 lekë për litër

3-Solar dhe Mazut: 3 lekë për litër

4-Vajguri: 3 lekë për litër

5-Koks naftë: 3 lekë për kg

-Aplikimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura, ja formula

Cilindrata në cm3 x koeficienti sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit

Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën.

1-Kështu, propozohet që për motomjetet, autoveturat dhe mjetet për transport të përzier, ky koeficient, në vitin e katërt të përdorimit të mjetit, të fillojë me 0.18, duke u rritur me 0.01 për çdo vit përdorimi. Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të transportit Rrugor, autoveturat zënë rreth 70% të totalit të mjeteve, dhe mbi 75% e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra. Për këtë arsye, propozohet që koeficienti sipas vjetërsisë të rritet me 0.04 për çdo vit përdorimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›