Marrëveshja, dy gazsjellës bashkohen në Fier
Për herë të parë, Shqipëria ka firmosur një memorandum nëpërmjet të cilit Shqipëria do të bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të gazit. Bëhet fjalë për një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi, duke u përqendruar në gjetjen e mundësive për lidhjen e Gazsjellësit Adriatik-Jon (IAP), një projekt madhor rajonal i gazit natyror, me sistemin e Gazsjellësit Trans Adriatik, në një pikë lidhëse në afërsi të Fierit në Shqipëri. Memorandumi u firmos nga Ministri i METE, Nasip Naço dhe nga Drejtori i Zhvillimit të Biznesit dhe Lejeve të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik, Barnim Piechoroëski. Sipas termave të Memorandumit do të ngrihet menjëherë një grup pune për të vlerësuar më tej fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke filluar që nga bashkërendimi i programeve në përgjithësi dhe ndarja e praktikave më të mira dhe deri te lehtësimi i mirëkuptimit të përbashkët të secilës kërkesë teknike të projektit. Kjo do të përfshijë nevojat për kapacitete, ndërtime të reja dhe përmirësime të infrastrukturës ekzistuese si dhe vlerësimet e ndikimeve mjedisore dhe sociale. Disa muaj më pare, TAP ka nënshkruar marrëveshje të ngjashme me palët e tjera pjesëmarrëse në iAP, duke përfshirë operatorin kroat të sistemit të gazit Plinacro Ltd, operatorin boshnjak të sistemit të gazit BH-Gas dhe qeverinë e Malit të Zi. TAP mbështet objektivat e këtyre vendeve për zhvillimin e mëtejshëm të tregut rajonal të gazit në EJL dhe integrimin e tij në tregun e energjisë së BE. Ministria e Energjetikës bën me dije se duke pasur katër marrëveshje të nënshkruara pjesëmarrësit e gazsjellësit Adriatik-Jon, TAP konsolidon kuadrin e nevojshëm për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjes së TAP me iAP. Hapat e mëtejshëm do të përfshijnë harmonizimin e afateve kohore të projekteve dhe specifikimeve teknike të tubacioneve. Lidhja e iAP me TAP do t’i sigurojë Evropës juglindore, një rajon i cili varet në një masë shumë të madhe nga një furnizues i vetëm i gazit, furnizime të reja të gazit natyror nga rajoni i Kaspikut. Për më tepër, kjo do të sjellë siguri të lartë të energjisë dhe përfitime ekonomike në rajon. Kohët e fundit, rëndësia e projektit iAP u njoh nga Korniza e investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF), i cila vendosi t’i japë projektit të gazsjellësit Adriatik-Jon 3,5 milionë Euro për kryerjen e një studimi fizibiliteti dhe për vlerësimin e ndikimit mjedisor (VNM). Konsorciumi TAP, i përbërë nga drejtues të energjisë evropiane Statoil, E. ON Ruhrgas dhe EGL, synon të ndërtojë një tubacion gazi natyror që kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë për të sjellë gazin e rajonit të Kaspikut në Europë. Gazsjellësi do të jetë një komponent kryesor në hapjen e Korridorit Jugor të Gazit që synon Bashkimin Europian. Gazsjellësi i TAP parashikohet të ketë aftësitë për të kthyer mbrapsht drejtimin e rrjedhjes, gjë që do të mbështesë gjithashtu besueshmërinë në rajon në rast të ndërprerjeve të furnizimit me energji.