Kuvendi miraton ligjin “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë”

Mban një minutë heshtje për viktimat e shtetit të 2 prillit 1991 në Shkodër
TIRANE - Me 71 vota pro, 30 kundër dhe 1 abstenim Kuvendi miratoi ditën e djeshme ligjin “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë të regjimit komunist”.
Ligji shkaktoi debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi deputetët socialistë e kontestuan atë. Gjatë seancës së 30 marsit kur projektligji u votua në parim, kryeministri Sali Berisha deklaroi se ky projektligj është “një akt njerëzor dhe ligjor ndaj ish të përndjekurve të regjimit komunist”, duke ftuar në të njëjtën kohë opozitën që ta votojë atë. Duke kujtuar faktin se ky projektligj do t`i kushtojë një shumë të konsiderueshme buxhetit të shtetit, Kryeministri Berisha tha se “projekti ka një faturë jo të thjeshtë, por për vendin dhe shoqërinë është shumë më e rëndë që kjo shtresë të mbikalohet”. Projektligji “Për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë” ishte votuar në seancën e 30 marsit në parim, ndërsa ditën e djeshme u votua në tërësi nga deputetët e parlamentit shqiptar.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se “për dëmshpërblimin e kësaj shtrese qeveria ka vënë në dispozicion rreth 30 milionë dollarë. Janë 1440 dosje të ish-të përndjekurve, të cilët brenda këtij viti do të përfitojnë dëmshpërblimin në vlerën e rreth 980 milion lekë të reja. Kjo shumë do të vihet në dispocion të tyre në mënyrë automatike”.
Kuvendi gjithashtu mbajti dje një minutë heshtje në nderim të të vrarëve nga policia në ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. 18 vjet më parë, gjatë një demonstrate antikomuniste në qendër të Shkodrës, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu mbetën të vrarë në përpjekjet për të sjellë pluralizmin në Shqipëri. Katër të rinjtë e vrarë janë shpallur “Heronj të demokracisë”.