“Shqipëria i afrohet aspiratës për t’u bërë anëtare e BE-së”

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, përshëndet anëtarësimin në NATO
TIRANE - Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) nëpërmjet një deklarate për shtyp, uron Shqipërinë për anëtarësimin e saj te plotë në NATO, duke treguar se Shqipëria po i afrohet aspiratës së saj për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së.
KKSHA-ja përfiton nga ky moment, për të përshëndetur njëkohësisht edhe ushtarët shqiptarë që shërbejnë përkrah ushtarëve të tjerë të NATO-s në Afganistan e Irak.
Kryetari i Bordit të KKSHA-së, Martin Shkreli tha se “përfshirja e Shqipërisë dhe e Kroacisë në NATO duhet të frymëzojë edhe vendet e tjera të rajonit të përpiqen të plotësojnë hapat e duhura për pranimin e tyre sa më të shpejtë në strukturat Euro Atlantike”.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jo qeveritare e përkushtuar ndaj mbrojtjes së çështjeve shqiptare, si dhe promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan me qëllim fuqizimin e politikave demokratike, dhe inkurajimin e respektit për të drejtat e njeriut, duke ju përmbajtur programeve me karakter edukativ dhe zhvillues.