E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlora 30 vjet me orkestër simfonike

Qendra Kulturore e Vlorës ka parashikuar një program të ngjeshur me aktivitete për përvjetorin e 30-të të orkestrës simfonike të këtij qyteti, që do të festohet në 15 maj. Drejtori i Qendrës Kulturore, Istref Dobi, tha se “kemi përcaktuar 15 majin, që përkon me 30 vjetorin e krijimit të kësaj orkestre, si datë, kur do të zhvillojmë një takim jubilar dhe një koncert të madh, me pjesëmarrjen e instrumentistëve të njohur nga Vlora, të cilët për motive të ndryshme ushtrojnë aktivitetin artistik në qytete të tjera,  jashtë vendit, apo kanë dalë në pension". Aktivitetet që do të organizohen nga Qendra Kulturore në bashkëpunim me një nga emrat më të njohur në historinë e artit në Vlorë, Thanas Caçi, do të evokojnë vlerat më të mira të krijuara nga breza artistësh në këtë qytet. Pjesë e koncertit do të jenë dhjetra instrumentistë, mes të cilëve oboisti Thanas Qirnxidhi, i njohur për aktivitetin e tij në Greqi, violinisti Mjaltin Zhezha, apo dirigjentët Thanas Caçi, Oleg Arapi e Edi Banushi. Një element i rëndësishëm i aktivitetit jubilar do të jetë dhe formacioni aktual i orkestrës simfonike të Qendrës Kulturore të Vlorës, që u rikrijua dy vjet më parë pas një periudhe ndërprerjeje prej 17 vjetësh. Përkujtimi i 30 vjetorit të krijimit të orkestrës simfonike po pritet mjaft mirë nga artistët e këtij qyteti, të cilët shohin tek ky aktivitet një ridimensionim të vlerave të artit, por edhe të kontributit të atyre që dekada më parë thyen barrierat e kohës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›