E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndihma dhe solidariteti i donatorëve do të përdoret në mënyrën më efiçente

KE dhe donatorët japin mbështetje të plotë, për zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë

TIRANE - 750 milion euro është shuma që KE dhe donatorët, akordojnë për vendet e rajonit si pjesë e paketës për përgjigje ndaj krizës financiare.
Gjatë punimeve të Konferencës së donatorëve, një organizim i qeverisë shqiptare dhe vendeve donatore është diskutuar për një koordinim sa më të mirë të ndihmës, që duhet të justifikojë kontributin e taksapaguesve evropianë. Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha deklaroi se ndihma e donatorëve të orientohet tek projektet që kanë prioritet luftën ndaj korrupsionit.
Berisha deklaroi se Konferenca me donatorët është një rast shumë i veçantë për t’u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë, falënderimet më të përzemërta për bujarinë që ata kanë dëshmuar dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Kryeministri garantoi se Shqipëria synon të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian.
Në vijim, kryeministri bëri një paraqitje të reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht në krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe tërheqjen e donacioneve të huaja, duke u shprehur se kryesore ka qenë dhe mbetet, lufta kundër korrupsionit, privatizimet e korporatave të mëdha, reforma në sistemin e taksave dhe tatimeve, vendosja e prokurimeve elektronike, etj.
“Rezultatet e Shqipërisë unë i konsideroj inkurajuese. Ju bëj me dije se, bazuar në luftën kundër korrupsionit, në këto katër vite, buxheti i qeverisë sime ka pasur së paku 4.5 miliardë dollarë më shumë sesa në vitet pararendëse”, nënvizoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se një ndër prioritetet e qeverisë, në drejtim të investimeve dhe orientimit të donacioneve, është arsimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm rural.
Gjithashtu, Berisha tha se fokusi tjetër i prioriteteve është zhvillimi i qëndrueshëm rural. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje që ndihma, bujaria dhe solidariteti i donatorëve të përdoret në mënyrën më efiçente për qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, kryeministri tërhoqi vëmendjen se vendimtare për shfrytëzimin e donacioneve dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre, mbetet koordinimi më i mirë dhe adresimi i tyre në projekte prioritare.

Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit
në KE, Michael Leigh
Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në KE, Michael Leigh, duke falënderuar palën shqiptare për kontributin në organizimin e kësaj konference, shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe e vlerësoi këtë si një hap themelor në progresin e vendit.
Gjithashtu, ai vlerësoi dhe ecurinë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Leigh theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference me donatorët në këtë periudhë të krizës botërore ekonomike, duke u shprehur se për të pasur sukses, duhen përballuar sfidat që dalin nga kjo krizë.
“Në Bashkimin Evropian, ka tashmë një paketë për t’iu përgjigjur kësaj krize që merr në konsideratë vendet aktuale anëtare, si dhe gatishmërinë për t’u ardhur në ndihmë vendeve partnere të rajonit, që ato t’ia dalin mbanë në këtë sfidë. Kjo paketë do të mobilizojë 150 milionë euro, në kuadrin e IPA-s, instrumentit të para aderimit, më vonë do të jenë edhe 600 milionë euro të tjera nga institucionet financiare ndërkombëtare”, u shpreh Leigh.

Ambasadori i Delegacionit të KE-së
në Shqipëri, Helmuth Lohan
Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, konfirmoi se Komisioni Evropian dhe donatorët mbështesin Shqipërinë në fushën e zhvillimit dhe integrimit.
Gjatë punimeve të Konferencës Rajonale të Donatorëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Ambasadori Lohan solli në vëmendje se kjo konferencë organizohet midis dy evenimenteve politike për Shqipërinë, anëtarësimit të plotë në NATO dhe hyrjes në fuqi të MSA-së. Në kuadrin e krizës globale financiare, Ambasadori Lohan vuri në dukje se, “ajo bie në kurriz të taksapaguesve në vendet e donatorëve, ndaj çdo asistencë dhe çdo euro që do të jepet duhet të mendohet mirë”.
“Ndaj dhe koordinimi i donatorëve bëhet gjithnjë dhe më i rëndësishëm dhe i domosdoshëm dhe pjesëmarrja në këtë konferencë e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Michael Leigh, thekson rëndësinë që ne i kemi dhënë koordinimit të donatorëve”, tha në përfundim Ambasadori Lohan.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›