E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton ligjin për partitë politike, rrezikojne selite

11/02/2011  Ligji parashikon që financimet e partive të kontrollohen nga ekspertët

Miratimi i ligjit përbush një nga 12 pikat e rezolutës së BE

Kuvendi miratoi dje me votat e demokratëve ligjin për kontrollin e financimit të partive, që detyron partitë politike të bëjnë publike çdo vit financimet e tyre dhe këto financime të kontrollohen nga ekspertë kontabël, të cilët do të caktohen me short nga KQZ. Sipas riformulimit të ligjit të propozuar në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Viktor Gumi, “burimet financiare dhe materiale të partive politike përbëhen nga: a. kuotat e anëtarësisë, b. fondet publike, duke përfshirë dhe ndihmën financiare në masën e caktuar në buxhetin e shtetit të miratuar me ligj nga Kuvendi, c. fondet jopublike, të cilat janë dhurimet financiare, dhurimet në natyrë, shërbimet, sponsorizimet, kreditë apo garancitë e ndryshme, si dhe çdo transaksion tjetër financiar dhe ç. çdo pasuri e fituar në mënyrë të ligjshme”. Konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës u prish tek ekspertët që do të kontrollonin financat e partive, të cilët sipas draftit përzgjidheshin nga KQZ.

Debati

Projektligji është një kërkesë e hershme e njësisë antikorrupsion të Këshillit të Evropës, por projektligji për të cilin u debatua 3 orë nuk u miratua dot me konsensus, edhe pse në dy orët e para diskutimet ishin konstruktive dhe demokratët pranuan disa amendamente të opozitës. Në variantin e parë drafti sugjeronte përzgjedhjen e ekspertëve nga KQZ-ja, një institucion që është kthyer sërish në mollë sherri, edhe pse në variantin e kompromisit të propozuar nga Ilir Rusmali, ligji ia heq të drejtën KQZ-së të përzgjedhë ekspertët, pas aplikimit të tyre, duke lënë vetëm shortin si mekanizëm të përzgjedhjes së tyre. Opozita është shprehur kundër kalimit të kontrollit financiar nga KLSH në KQZ dhe propozoi ndryshimin e tij.

Punimet e Kuvendit, shqyrtime dhe vendime

Opozita braktis seancën

Në seancën e djeshme ligjvënësit e mazhorancës miratuan rreth 10 projektligje e kalendarin e punimeve që janë vënë në rend të ditës nga mazhoranca, në mungesë të përfaqësuesve të opozitës në Kuvend.

Votimet

Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndihmës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për qeverisjen me drejtësi dhe në mënyrë demokratike, investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kulturore, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për ngritjen e një qendre kulture dhe informacioni të Republikës së Shqipërisë në Sofje, dhe të një qendre kulturore dhe informacioni të Republikës së Bullgarisë në Tiranë”; projektligjin “Për ratifikimin e Memorandumit për garancitë ligjore dhe juridike kundër procedimit të paligjshëm të të dhënave personale”; projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen ndërmjet qeverive të vendeve pjesëmarrëse të bashkëpunimit ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), për bashkëpunimin në ndihmën dhe përgjigjen ndaj emergjencave të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu dhe në protokollin shtesë të saj”; projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 7767, datë 9.11.1993, për aderimin në konventën ‘Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave’”; projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000 ‘Për partitë politike’ të ndryshuar”; projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8750, datë 26.3.2001, ‘Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope’”; projektligjin “Për krijimin e shoqërisë ‘Nxitja e biznesit social Sh.a.’” dhe Aktin Normativ nr. 1, datë 26.1.2011 “Për lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të zhvillojë procedurën e prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit, për objektet e mbrojtjes nga përmbytja dhe të kullimit në zonën e Shkodrës e të Lezhës, të planifikuara në buxhetin e vitit 2011”. Me votim të fshehtë Kuvendi zgjodhi zonjën Elivar Golemi si inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›