E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sundimi i ligjit apo shteti i së drejtës

FATOS LUBONJA

Pas shkrimit tim Sundimi i ligjit dhe sundimi nëpërmjet ligjit, juristja amerikane që punon prej kohësh në vendin tonë dhe njohësja e gjuhës shqipe, Kathleen Imholz, më bëri një vërejtje që më tërhoqi vëmendjen dhe më shtyu të reflektoj. Sipas saj, përkthimi i the rule of law në anglisht duhej të ishte sundimi i së drejtës pasi, ndryshe nga gjuhë të tjera europiane, ku kemi edhe fjalën ligji edhe fjalën e drejta, në anglisht ka vetëm një fjalë që përdoret për të dyja, që është law. Dhe në shprehjen the rule of law, kjo fjalë nuk ka kuptimin e një ligji të veçantë, por të një korpusi ligjesh dhe principesh që është më saktë të përkthehet me e drejta. Me fjalë të tjera, sipas saj, kur themi sundimi i ligjit, kjo mund të kuptohet si sundimi i një ligji të veçantë, çka nuk mund të jetë kurrsesi i barabartë me sundimi i së drejtës. Mendoj se ia vlen një reflektim edhe në aspektin gjuhësor mbi këtë vërejtje që Imholz e shoqëronte me shqetësimin se lidhur me konceptin the rule of law, në këta njëzet vjet që ajo ndjek Shqipërinë, ekziston një paqartësi e madhe.
Në fakt, koncepti the rule of law në shqip ka hyrë shumë vonë pas rënies së komunizmit dhe ne, më së shpeshti, e kemi përkthyer me shteti i së drejtës  duke e marrë atë nga gjuhët europiane perëndimore të kontinentit. Në italisht është stato di dirito, në frëngjisht përdorin etat de droit, por edhe primaute du droit, në spanjisht el Estado de Derecho, gjermanisht der Rechtsstaatlichkeit. Duke kërkuar në gjuhët lindore që i njoh pak, vura re se atje përdorin edhe e drejta, edhe ligji (pravo dhe zakon), çka më duket se është më afër përvojë sonë.
Në fakt, nuk është se unë nuk e dija se përkthimi më i përdorshëm në shqip për the rule of law është shteti i së drejtës, por me vetëdije zgjodha sundimi i ligjit. Në fakt, më së shumti personalisht kam përdorur, në të folur dhe në të shkruar, trajtën shteti ligjor, dhe jo shteti i së drejtës, pasi kjo e fundit më ka tingëlluar gjithmonë një shprehje si e zbrazët, pa përmbajtje e kuptim. Ndoshta për shkak se fjalët e një gjuhe marrin jetë, ashtu si pemët që lëshojnë degë, nga përvojat e nevojat njerëzore. Ato nuk mund të ndahen dot nga historia e përdorimit të tyre, nga jeta e tyre në një shoqëri, ashtu sikurse njerëzit nuk mund të ndahen prej tyre. Dhe historia rreth njëzetvjeçare e shprehjes shteti i së drejtës në gjuhën shqipe më duket si historia e fidanit të një peme të marrë nga jashtë e të mbjellë në gjuhën shqipe, që ska marrë dot asnjëherë jetë në kuptimin që ka në vendet nga e kemi marrë. Ose më saktë ndoshta do të thosha se ky fidan ka zënë tashmë në gjuhën tonë,  por jo në kuptimin që ka, por në pakuptimin që ka. Me fjalë të tjera, në humusin shqiptar ai ka lëshuar degë (konotacione) që nuk korrespondojnë me çka do të thotë koncepti në gjuhët nga e kemi marrë. Për shembull, për mua ai mund të përdorej në shqip nga shkrimtarët apo humoristët për të evidentuar gjuhën e ndoca kafshëve politike tonat që përfaqësojnë partitë në komisione të ligjit e që i sheh ta artikulojnë nëpër mbledhje e nëpër ekrane, por që jashtë ekranit nuk bëjnë gjë tjetër veçse të kundërtën e asaj që nënkupton koncepti; apo të tjerë që e përdorin aq shumë kur flasin me ndërkombëtarët, deri edhe pa qenë të vetëdijshëm se për çfarë po flasin.
Ndërkaq, raporti i shqiptarëve me fjalën ligji më duket se është shumë më i gjallë. Ai ka kuptimin e një ligji të vetëm të Kodit Penal apo Civil, të një dekreti të kthyer në ligj, të ligjeve të natyrës, por më duket se ka marrë në publikun e gjerë, veçanërisht këta njëzet vjet, edhe kuptimin e atij korpusi ligjesh dhe principesh që ekzistojnë të shkruara në letër, por që nuk respektohen e që në një gjuhë më korrekte mund të quhet e drejta. Kur themi respektimi i ligjit apo mosrespektimi i ligjit, ne nënkuptojmë diçka më shumë se sa respektimi apo mosrespektimi i një ligji të vetëm, ashtu sikurse edhe kur themi për një pushtetar se ai bën ligjin, nënkuptojmë se është ai që vendos për gjithçka, jo vetëm për një ligj të veçantë, apo se ai bën atë që bënte në Britani, p.sh. para 1688-s monarku. Pra, përtej përdorimit apo mospërdorimit të konceptit the rule of low në trajtën sundimi i ligjit, apo shteti i së drejtës, apo shteti ligjor, apo sundimi i së drejtës – edhe vetë përdorimi i tërë këtyre shprehjeve flet për konfuzionin që shqetëson Imholz, – do të thosha se ne sot po jetojmë në një kohë kur ajo që u mungon më shumë shqiptarëve dhe që e shprehin përditë kur flasin me njëri-tjetrin është, ashtu siç thosha në shkrimin e mëparshëm, vetëdija e hendekut midis ligjit, në kuptimin e së drejtës, si korpus ligjesh e parimesh që ekzistojnë të shkruara në letër, dhe moszbatimit të tij për shkak se në vend sundon jo ligji/e drejta, por krimi i organizuar që ka kapur shtetin. Në këtë kontekst, edhe fjala sundimi më duket më e përshtatshme se sa fjala shteti, pasi është një fjalë shumë e fortë që duke iu veshur ligjit në kuptimin që i dhashë, sikur kërkon tu zhveshë nga pushteti sundimtarëve në fjalë.
Gjithë në këtë ravë do të thosha se edhe vetë fjala e drejta nuk ka marrë, më shumë se fjala ligj, në publikun e gjerë, kuptimin e një korpusi ligjesh e principesh, – siç është në gjuhët perëndimore e siç e gjen në tekste universitare – por ka mbetur në stadin një koncepti moral. Sikur fjala e drejta të kishte marrë në publikun e gjerë kuptimin që ka për specialistët do të ishte shumë e qartë se kur themi shteti i së drejtës apo sundimi i së drejtës, bëhet fjalë për një shtet ku sundon ai korpus ligjesh e principesh përpara të cilit të gjithë janë të barabartë, por, në mungesë të kësaj, në shqip këto na japin më shumë kuptimin e një shteti utopik, ku e drejta nuk ka kuptimin e një korpusi ligjesh e principesh, por të një koncepti moral që i atribuohet Zotit, për shembull, apo njerëzve të drejtë. Pra, paradoksalisht, është e vërtetë se tingëllon më mirë të vësh si titull të një teksti universitar Filozofia e së drejtës, dhe jo Filozofia e ligjit, por, ndërkaq, kur themi shteti i së drejtës apo sundimi i së drejtës, më duket se largohemi më shumë nga kuptimi i the rule of law, sesa kur themi sundimi i ligjit. Për ta ilustruar këtë, po sjell edhe një koncept që ia kundërvura këtij duke e vënë edhe në titullin e shkrimit. Në librin Why nations fail (Përse dështojnë kombet), i cili sikur i dha jetë për mua, më qartë se çdo lexim tjetër, konceptit the rule of law në raport me historinë tonë, duke më bërë njëherësh të kuptoj edhe më mirë se pse asnjëherë nuk më ka mbushur përkthimi në shqip në trajtën shteti i së drejtës, përdorej, mes të tjerash, edhe koncepti the rule through law (sundimi nëpërmjet ligjit), që i kundërvihet të parit duke dhënë konceptin se si ligji/e drejta (keq)përdoret nga sundimtarët që e kontrollojnë atë – çka, së bashku me mosrespektimin e ligjit, është raporti i rëndomtë që kemi ne me ligjin/të drejtën. Po të përdornim termin e drejta për low, këtë shprehje do të duhej ta përkthenim sundimi nëpërmjet së drejtës e, në këtë rast, titulli i shkrimit tim do të ishte: Sundimi i së drejtës dhe sundimi nëpërmjet së drejtës, që më duket se e largon edhe më shumë lexuesin shqiptar nga çfarë kam dashur të shpreh.
* * *
Ishin këto disa nga arsyet që – intuitivisht – më bënë që duke lexuar librin Why nations fail ta përkthej the rule of laë me sundimi i ligjit. Dikush mund të arsyetojë se zhveshja nga kuptimi i kësaj shprehjeje, për shkak të ndryshimit midis asaj që thonë dhe asaj që bëjnë shqiptarët në përgjithësi, do të ndodhte edhe sikur në vend të shteti i së drejtës të kishim përdorur këta njëzet vjet trajtën sundimi i ligjit. E vërtetë. Historia e gjuhës është e m

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›