E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrihet me unanimitet Komisioni i Reformës Zgjedhore

Kuvendi ka miratuar dje, me konsensus absolut të të gjitha partive pjesëmarrëse në të, ngritjen e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Madje, ky vendim ka marrë më shumë vota pro se çdo projektligj apo vendim tjetër të marrë dje nga Kuvendi, pasi të 130 deputetët e pranishëm në sallë kanë miratuar propozimin e ardhur nga Konferenca e Kryetarëve. Komisioni do të drejtohet nga Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri, ndërkohë që anëtarë të tij do të jenë Viktor Gumi, Fatmir Mediu, Vangjel Tavo, Shpëtim Idrizi, Vasilika Hysi, Armando Subashi, Arben Isaraj dhe Vangjel Dule. Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, para votimit ka lexuar dhe vendimin e plotë nëpërmjet të cilit përcaktohet se komisioni ka për detyrë hartimin e amendamenteve për kuadrin ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Gjithashtu komisioni do të zhvillojë konsultime dhe seanca diskutimi me partitë politike jo parlamentare të interesuara për reformën zgjedhore, të cilat në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave në shkallë vendi, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë ekspertizë dhe eksperiencë në procesin zgjedhor. Konsultime e dëgjesa publike do zhvillohen me kërkesën e palëve edhe me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, si dhe institucione shtetërore që kanë rol në procesin zgjedhor. Sipas vendimit të miratuar Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i dhe Komisioni i Venecias ftohen të ndjekin dhe të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e Komisionit dhe të grupit të ekspertëve të ngritur pranë tij. Gjithashtu, në të përcaktohet se çdo parti parlamentare ka të drejtë të propozojë amendamente për diskutim dhe miratim. Ndërkohë që në të përcaktohet gjithashtu se për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, konsensusi do të kërkohet me asistencën e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›