Kuvendi miraton me votat e mazhorancës aktin normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve

Opozita s’merr pjesë në votim
Kuvendi ka miratuar me 67 vota “pro” dhe 4 abstenim aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Partia Socialiste nuk mori pjesë në votim ndërsa disa nga deputetët e LSI-së abstenuan. Ndërkohë më herët shqyrtimi i këtij akti u shoqërua me debate në Kuvend mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe deputetit socialist Sajmir Tahiri. Kryeparlamentarja Topalli ka akuzuar socialistët se i urrejnë pronarët, ndërsa deputeti Tahiri theksoi se nga ky ligj përfitojnë, ministra e deputetë të PD-së. Tahiri akuzoi qeverinë se ka keqësuar konfliktin e pronave ndërsa shtoi se akti normativ nuk i jep zgjidhje pronarëve por edhe qiramarrësve. “Akti normativ që vjen sot vjen pas dy nismave të qeverisë, të këtij kryeministri, të dyja janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, se nuk i japin zgjidhje pronarëve dhe qiramarrëses. A e dini sa problem ka me pronat. Janë vrarë 8 mijë 100 qytetarë në mbarë vendin. Më shumë se 1 qytetar në ditë. Koston e mban klasa politike. Ju thoni le të vriten”- shtoi Tahiri. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri kërkoi më herët që tu vihej në dispozicion të gjithë deputetëve rekomandimi i Avokatit të Popullit për aktin normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve. Tahiri tha se Avokati i Popullit e ka cilësuar aktin si të papajtueshëm më Kushtetutën, dhe se zbatimi i tij do të ketë pasoja. Kryetarja e Kuvendit, u përgjigj duke thënë se në Parlament nuk është Avokati i Popullit që shikon përshtatshmërinë e ligjeve me Kushtetutën, por komisioni përkatës. Gjithashtu, Kuvendi ka votuar me 124 pro projektit për ndërtimin e By pass-it të Fierit.
...