E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton ndryshimet në ligj për pensionet e ushtarakëve në rezervë

24-12-2010 / Gazeta 55

Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është karakterizuar dje me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, gjatë diskutimit të aktit normativ për pensionet e parakohshme të ushtarakëve. Opozita siç pritej ka mbajtur një qëndrim kundërshtues ndaj draftit të qeverisë duke e cilësuar atë në kundërshtim dhe shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, nga ana tjetër, ministri i Financave Ridvan Bode ka argumentuar se miratimi i këtij akti është më se i nevojshëm pasi ligji i lënë trashëgimi nga qeveria socialiste është një bombë për sistemin e sigurimeve shoqërore. Bode ka kërkuar që opozita të mos keqpërdorë politikisht ish-ushtarakët pasi akti prek vetëm pensionet e parakohshme të kësaj kategorie.

Bode: Amendimi i ligjit, i domosdoshëm
Ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi dje opozitën gjatë seancës parlamentare se po keq informon ish-ushtarakët në lidhje me aktin normativ. Ministri Bode mbrojti amendimin e ligjit, dhe ftoi deputetët ta votojnë atë. Sipas kreut të Financave, ky akt nuk prek pensionet e të gjithë ushtarakëve, apo policëve, por vetëm një kategorie ish-ushtarakësh të cilët kanë dalë në pension të parakohshëm.
Duke iu referuar protestës para Kuvendit të ish ushtarakëve, Bode akuzoi PS-në se për 8 vjet në qeveri nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë sociale dhe kërkon të përfitojë politikisht duke i keq informuar ish- ushtarakët në rezervë. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare ku u diskutua ky akt normativ për ish-ushtarakët Bode theksoi se akti  që ofron mazhoranca paraqet një përmirësim ligjor.
“Të gjithë ata të mjerë që ju i keni nxjerrë përpara Parlamentit nuk kanë të bëjnë fare me këtë akt normativ. Ju i keni mashtruar dhe i keni gënjyer! Ata të mjerë që ju i nxorët përpara Parlamentit, ju tetë vjet vetëm u keni premtuar dhe nuk u keni bërë asnjë gjë. Vetëm në maj të vitit 2005, në ditët kur ju po iknit miratuat këtu në Parlament një ligj. Duke filluar nga gjysma e vitit 2005 e deri më sot që jemi në vitin 2010, kjo kategori ish-ushtarakësh marrin sot ato pensione që janë votuar në 2005. I gjithë problemi ka lindur në një rast tjetër. Bëhet fjalë për përfitimet që dalin nga ligji për ish-ushtarakët, i cili është miratuar më datë 15. 05. 2009, ‘Për sigurimin shoqëror të ushtarakëve’. Pra nuk bëhet fjalë për pensionet e ish-ushtarakëve. Akti që ne sjellim përbën vetëm se një përmirësim ligjor dhe synon të sigurojë një drejtësi shoqërore, atë që kryetari juaj e quan me demagogji se po të bjeri poshtë akti normativ, atëherë do të vendoset dhe drejtësia shoqërore. E gjithë kjo është një mashtrim dhe pak më tej ju do ta dëgjoni se përse është i tillë. Ligji 10142 doli i domosdoshëm pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili urdhëronte ndryshime, me qëllim krijimin e balancave për trajtimin e barabartë të ish-ushtarakëve. Ligji riorganizoi skemën dhe parashikoi pensione të arsyeshme duke e zgjeruar më tej gamën e përfituesve”, u shpreh Bode.
Ai akuzoi opozitën se në vitin 2005 ka hartuar një ligj jo të drejtë, pasi i siguron ish- ushtarakëve në pension të parakohshëm një pension që llogaritet 5 për qind më i lartë se paga e një ushtaraku në detyrë.
“Kjo do të stimulonte të gjithë ushtarakët që kanë kryer 15 vite punë të kërkonin të dilnin në pension të parakohshëm”, tha Bode.
Ministri i Financave tha se nuk është logjike që një ish- ushtarak i dalë në pension të parakohshëm të marrë 5 për qind më shumë se sa një ushtarak në detyrë. Kreu i Financave publike bëri të ditur se Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar ligjin e qeverisë, por ka kërkuar vetëm një ndryshim në një pikë të tij, me qëllim krijimin e balancave të barabarta sociale.
Duke replikuar me Ministrin e Financave, ish-ministri socialist i mbrojtjes Pandeli Majko tha se opozita demokrate e vitit 2005 ka miratuar pa asnjë kundërshtim ligjin që Bode e cilësoi si bombë për sistemin e sigurimeve shoqërore.
Ministri i Mbrojtjes Imami në fjalën e tij e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pensionin e ish-ushtarakëve si një ngërç kushtetues dhe sipas tij ushtarakët e dalë në pension të parakohshëm paguhen më tepër se ushtarakët në detyrë. Akti normativ u shoqërua me debate këto ditë edhe në komisionet parlamentare që e shqyrtuan atë.

Cila është masa e përfitimit e ish ushtarakëve?
“Ushtarakët marrin më shumë se gjithë të tjerët dhe ne kemi rënë dakord për këtë përderisa bëmë ligjin për trajtimin e veçantë të tyre dhe po ju marr një shembull për ta marrë vesh ju: Një grua që ka punuar në arsim për 27 vjet, një mjeke që ka punuar për 27 vjet, apo një profesion tjetër që ka punuar në administratën publike për 27 vjet dhe që nuk ka arritur dot që të mbushë 35 vjet punë, dhe jo në mënyrë të parakohshme, kur del në pension sipas ligjit ka të drejtë që po sipas ligjit të fitojë rreth 80 mijë lekë të vjetra pension. Kaq mund të përfitojë kjo kategori me ligjin në fuqi të sigurimeve shoqërore.
Një ushtarak që ka punuar 15 vjet sipas këtij ligji që ka qenë deri më sot në fuqi, përfiton një pension të parakohshëm prej jo më pak se 21380 lekë në muaj dhe kjo është paga më e ulët. Pra nga 79000 lekë në 21380 lekë është afro tre herë më shumë se pensioni që ne përllogarisim sot dhe është krejt normale? Por nuk është absolutisht normale, kur them, sepse ai merr tre herë më shumë se sa një mjek. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtaraku që ka gradën më të ulët në ushtri dhe që ka punuar 27 vjet do të përfitojë një pension prej 35 mijë lekësh, domethënë rreth 8 herë më shumë se sa arsimtari apo mjeku.
Një burrë ish-ushtarak me gradën më të lartë dhe që ka punuar 18 vjet merr të paktën 72500 lekë, domethënë sa 10-fishi i kolegut të tij që ka shërbyer 27 vjet në një spital, adminstratë publike apo dhe shkollë. Një ish-ushtarak me gradën më të lartë që ka punuar 27 vjet merr 173000 lekë në muaj në një kohë që zonja mjeke, apo profesori i universitetit merr 79000 lekë, sepse ka punuar 27 vjet. Puna vazhdon akoma më tej, sepse ne për këta zotërinj që kanë dalë në pension të parakohshëm, paguajmë për t’i quajtur të siguruar. Ne paguajmë rreth 11.2% të pagës muaj për muaj. Pra kjo do të thotë se për çdo ish-ushtarak të liruar ne paguajmë 120.000 lekë në muaj sa ç’merr një deputet, apo një ministër dhe bëhet fjalë për të bërë 11517 deputetë dhe ministra për të paguar. A është kjo një e drejtë e fituar apo jo?! Të drejtat social-ekonomike nuk janë të drejta të fituara, por janë të drejta që jepen nga buxheti i shtetit, sipas mundësisë që ka buxheti i shtetit dhe sipas financave të tij. Dhe kjo nuk mund të fshihet në të drejtën e përfituar dhe nuk mund të bëni  demagogji për drejtësi sociale, kur po ju them zotëri, se vetëm shtesa që marrin pensionet suplementare është e barabartë me dyfishin e pensioneve të 180 pensionistëve fermerë. Ku e shikoni ju këtë drejtësi sociale, kur 11517 veta të marrin sa dyfishi i pensioneve të 180 mijë pensionistëve të fshatit? 11517 veta të marrin sa dyfishi për 180 mijë fshatarë që kanë punuar gjithë jetën? Ju doni të përgjysmoni pensionet e 180 mijë fshatarëve? Pse nuk bini dakord dhe të thoni që të ruajmë këtë fond, por të dyfishojmë pensionet e fshatit? Për të drejtën e fituar, unë mund t’ju kujtoj dy raste për këtë vit: kancelarja gjermane ndërmori një reformë dhe preku të drejtat shoqërore nga buxheti gjerman që lidheshin me pagesat për papunësinë, me pagesat për integrim, për qiratë. Çfarë bëri kjo e fundit? Ajo uli përfitimet e individëve me 80 miliardë euro në funksion të konsolidimit të të ardhmes së shtetit gjerman, duke thënë në mënyrë publike se “në qendër të politikës sonë që shkurtoi 80 miliardë euro sociale qëndron njeriu. Qëllimi jonë është që të gjithë njerëzit të kenë shansin për mirëqenie dhe jo vetëm grupet e caktuara. Për këto arsye këto masa që parashtrojmë kanë prioritet, pasi përmirësojnë kushtet për ardhmërinë e njerëzve tanë”, thotë kancelarja. Ju i kundërviheni përpjekjes së qeverisë për vendosjen e një drejtësie shoqërore. Nuk bëhet fjalë për të shkurtuar përfitimet. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Hungari po gjatë vitit të kaluar. Dhe ç’bëri parlamenti hungarez? Nuk bëri këtë që po bëni ju, por u mblodh i gjithë parlamenti dhe kufizoi gjykatën kushtetuese në të drejtën e saj për të marrë vendime që kanë një faturë buxhetore dhe ligji jonë, kushtetuta jonë na e ka ofruar. Ajo thotë midis të tjerave se ndryshimet në buxhet bëhen sipas procedurave të parashikuara në buxhet. Vetë Kushtetuta normon propozimin e buxhetit, por askush nuk flet për një kompetencë të Gjykatës Kushtetuese për të urdhëruar se sa do të parashikohen në buxhetin e shtetit të drejtat social-ekonomike. Në Kushtetutë thuhet se shteti brenda mjeteve që disponon dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private duhet të realizojë përmbushjen e objektivave sociale. Çdo njeri që do të marrë të drejtën e pensionit sipas këtij ligji do të ketë të drejtën e pensionit bazë si përfitim me qëllim të rritjes së përqindjes së pjesës që përballohet nga kontributi i buxhetit të shtetit. Projekti parashikon që kontributi suplementar të kalojë nga 2-5 për qind”, sqaroi ministri i Financave Ridvan Bode.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›