E Shtunë, 31 Tetor 2026

Simbolet e partive dhe emrat e njerëzve e japin një kuptim

24-12-2010 / Nga Kadri Gega

Fillimisht, vite më parë, rreth 1700-tës, termat "e djathtë" dhe "e majtë",  kur përdoreshin si terma politikë, kishin një kuptim të qartë. "E majta" u ngrit në kundërvënie pas një  dominimi në kohë të gjatë të krahut të djathtë. Historikisht, gjatë 1800-s, liberalët në parlamentet evropiane uleshin në anën e majtë të fronit të presidentit, një zakon që filloi në 1789, kur fisnikëria e kohës ulej në anën e djathtë e mbretit. Kështu doli në pah emri  "krah i majtë".
Në politikën shqiptare, Partia Demokratike lindi si organizatë kundër shtetit totalitar dhe sot ajo përfaqëson politikën e krahut të djathtë. Edhe pse me një histori të shkurtër në kohë, as nuk diskutohet që PD ka qenë dhe ende është, e orientuar drejt botës së civilizuar të Europës Perëndimore. Por, nga ana tjetër, është e këndshme të shikosh se një pjesë e së majtës shqiptare, (LSI në rastin tonë), ecën me këmbëngulje në po atë drejtim. Në rrethanat kur Shqipëria u pranua në NATO dhe kur aktualisht ka privilegjin dhe gëzimin  e madh për qarkullimin e lirë në vendet anëtare të BE, dallimet në mes të majtës dhe të djathtës së vjetër klasike kanë rënë dhe hendeku politik i antagonizmave (socialistët e majtë të përfaqësuar nga LSI-ja dhe demokratëve të djathtë nga PD), është bërë shumë- shumë më i vogël dhe gjithmonë e më tepër kanë dalë në pah dhe po ndiqen politika pragmatiste me interesa të mëdha kombëtare. Krahu i majtë dhe i djathtë në Shqipëri kurrë nuk janë përputhur si procese të njëjta me konceptet tradicionale evropiane të së  majtës dhe të së djathtës. Në të kuptuarit klasik të të dy rrjedhave politike, në Evropë E Majta është përfaqësuar tradicionalisht nga jo të pasurit, që luftojnë për drejtësi sociale në shoqëri (fenomen i cili është diametralisht i kundërt me realitetin politik shqiptar), ndërsa e djathta është krijuar nga njerëzit më të pasur dhe prapa tyre kanë qëndruar vlerat tradicionale kristiane, vlerat e shtetit komb dhe marrëdhëniet e ekonomisë së tregut (përsëri një realitet politik jo shumë i ngjashëm për Shqipërinë). Kjo ka arsyet e veta, pasi burimi dhe rrjedha politike shqiptare e pluralizmit politik është krejtësisht e ndryshme nga Evropa e asaj kohe. Në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore, e vetmja parti që mbeti në pushtet ishte Partia Komuniste, më vonë Partia e Punës, e krijuar me mbështetjen e fortë të jugosllavëve, duke ndjekur më pas modelin sovjetik dhe atë kinez. Në fakt, kjo ishte një formë organizimi politik, një mutacion që nuk përfaqësonte as krahun e majtë të Europës Lindore, detyra e saj ishte që të ndiqte një politikë diktatoriale në vend, për të mbajtur një kastë të caktuar në pushtet.
Tashmë është realitet, që madje edhe në vendet e Evropës Perëndimore, është e vështirë të gjenden këto modele në formë të pastër, sidomos sot në këto vende, ideologjia dhe të menduarit e politikanëve të majtë dhe të djathtë janë po aq të ngjashëm me njëri-tjetrin, sa është jashtëzakonisht e vështirë për zgjedhësit të dallojnë diferencën mes tyre, dhe shpesh zgjedhësi i jep peshë pothuajse të njëjtë politike, si të majtës po ashtu edhe të së djathtës. Aksioni politik për të realizuar fitoren, shoqërohet me konsesusin për të realizuar qeverisjen. Në vitet e fundit në Austri dhe Gjermani, situata politike ka çuar disa herë në ndërtimin e koalicionit në mes të së djathtës dhe të së majtës. Duket se në Evropën moderne, të majtët klasikë dhe të djathtët klasikë - apo më saktësisht partitë që përfaqësojnë ata - janë tashmë mjaft larg nga koncepti i “vijës së pathyeshme” dhe po kërkojnë modele të reja politike për koalicione qeverisëse, fenomen që sapo ka filluar dhe po zhvillohet në spektrin politik shqiptar.
Procesi i privatizimit e shndërroi Shqipërinë në një vend me pamje krejt të ndryshme në një sasi kohore të shpejtë dhe ekonomia më në fund filloi funksionimin nëpërmjet tregut. Ky proces, së bashku me mjedisin e favorshëm ekonomik në Evropë, filloi një dekade të rritjes së vazhdueshme ekonomike. Në vitet 2000-2010, dhe në mënyrë të veçantë në periudhën 2005-2010, Shqipëria ka patur një politikë të brendshme dhe të jashtme  tejmase të suksesshme. Prioritetet e vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian u përcaktuan në mënyrë të saktë, u hodhën në  letër dhe u miratuan nga parlamenti shqiptar  duke formuar legjislacionin e duhur për të ecur në këto dy drejtime.
Qeveria e tanishme Berisha-Meta erdhi në pushtet me një program të qartë dhe ai ishte produkt i lidershipit politik të këtyre dy partive për të përmbushur një aspiratë të popullit shqiptar për lëvizjen e lirë dhe për integrimin në Evropë; kjo ishte shumë-shumë më tepër dhe shumë më fuqishme se koncepti politik i termave “ të majtë dhe të djathtë”; kjo ishte një lëvizje që doli përtej kufijve politikë, dhe këto lëvizje i bëjnë burrat e shtetit që mbi çdo gjë vendosin interesat madhore të shtetit dhe kombit shqiptar. Ata që kanë qenë kundër këtij procesi, e kanë shprehur veten e tyre përmes protestave dhe bojkotit, ata që kanë qenë dhe janë kundër e kanë shprehur revoltën duke luftuar për shpërbërjen e kësaj qeverie koalicioni.
Sa larg Europës bashkëkohore janë këto veprime, pasi është tashmë e faktuar se shumica e Evropës - Evropa Perëndimore të paktën - është drejtuar nga qeveri koalicioni për një kohë të gjatë. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak se në pothuajse të gjitha rastet ka më shumë se dy parti të rëndësishme, dhe shumica e vendeve të përdorur modelet e  përfaqësimit proporcional në zgjedhje, model i cili, kur ka më shumë se dy parti të rëndësishme, garanton një rezultat të zgjedhjeve jo përfundimtar; kjo formë e bën të  qartë se është e pamundur për partitë me dallime të konsiderueshme për të formuar koalicione nëse ata janë të papërgatitur për të bërë kompromise të mëdha. Herë pas here ka edhe koalicione të mëdha ku "dy partitë e mëdha" grupohen së bashku për të formuar një qeveri. Kjo ndodhi në Gjermani në vitin 2005 dhe për herë të parë pas 65 vitesh, Britania e Madhe tani ka një qeveri koalicioni.
Në përfundim, unë besoj fuqimisht se në kuadër të Bashkimit Evropian, dallimet në mes të majtës dhe të djathtës do të zvogëlohen  më tej dhe ne të gjithë do të jemi  më të përqendruar në interesat e përbashkëta evropiane dhe njerëzore. Dhe, në këtë linjë  mendimi, nuk do të jetë befasi nëse në dekadat e ardhshme në fokusimin ndaj të majtës dhe të djathtës do të mbetet vetëm një pjesë e historisë dhe të zëvendësohet me tema të zhvillimit të botës globale.
Nga ana tjetër, jam i bindur se shtetet dhe kombet do të duan shekuj qe të bëhen koncepte  të papërdorshme, e deri në atë kohë fjalët patriotë dhe renegatë do të mbeten në fuqi. Dhe më konkretisht “shqiptarë të vërtetë” dhe “antishqiptarë të vërtetë” ka edhe do të ketë brenda dhe jashtë vendit dhe nga këta të fundit emri shumë i përfolur i kohëve të fundit është Dick Marty. Privilegji i njohjes së gjuhës angleze më jep kënaqësinë të reagoj sipas mënyrës sime dhe të shpjegojë se fjala  “dick” në gjuhën e folur angleze ka disa kuptime dhe një prej tyre është “organi seksual mashkullor” por i thënë në fjalë fyese, që në gjuhën e folur shqipe thuhet “k..”. Besoj se emra të tillë sa vijnë e zvogëlohen në qëndrimin ndaj shqiptarëve, pasi e kanë kuptuar se po të ishim kaq mizorë, në historinë e së shkuarës, do të kishim pushtuar ne botën, kur në fakt ka ndodhur e kundërta, jemi ne që e kemi pësuar nga mizoria pushtuesve e të tjerëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›