Kuvendi miraton në Komision projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, fillon shqyrtimi i nismës “Për vullnetarizmin”

Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, i drejtuar nga Jorida Tabaku, zhvilloi mbledhjen e radhës, e cila shënoi miratimin e një nisme të rëndësishme ligjore dhe nisjen e shqyrtimit të një tjetre.
Në nisje të mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi Projektligjin “Për barazinë gjinore”. Ky projektligj, i cili u diskutua një ditë më parë, tashmë kalon për shqyrtim dhe miratim final në seancën plenare të Kuvendit.
Mbledhja vijoi me shqyrtimin në parim të Projektligjit “Për vullnetarizmin”. Për të prezantuar këtë nismë ishte e ftuar Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama.
Zëvendësministrja Rama theksoi se projekti synon ndërtimin e një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit në vend, me objektiv:
- Rritjen e pjesëmarrjes dhe kontributit të individëve.
- Promovimin e vlerave njerëzore, solidaritetit shoqëror dhe ndjenjës së përkatësisë qytetare.
Deputeti relator, Ramion Kurti, shtoi se ky projektligj synon të modernizojë veprimtarinë vullnetare në Shqipëri, duke garantuar standarde ligjore dhe mbrojtje efektive për vullnetarët, si dhe mekanizma funksionalë për nxitjen e pjesëmarrjes qytetare. Shqyrtimi i kësaj nisme pritet të vazhdojë në mbledhjet e ardhshme të Komisionit.
/rtsh.al/