E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton rezolutat për vlerësimin e punës së tre institucioneve

Jashtë rendit të ditës, deputetët e mazhorancës dhe opozitës diskutuan për situatën politike dhe ekonomike në vend, për deklaratën mbi Shqipërinë që Byroja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi të mërkurën, etj. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke përshëndetur vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Anders Fogh Rasmussen tha se në emër të të gjithë deputetëve e falënderova zotin Rasmussen për vizitën, për mbështetjen dhe për fjalët inkurajuese të shprehura prej tij se ky vit ishte një sukses për Shqipërinë si anëtare e NATO-s. Në vijim, Kuvendi mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin Për ratifikimin e Protokollit të pestë shtesë të marrëveshjes Për forcën shumëkombëshe të paqes në Europën Juglindore. Ky projektligj ka për synim arritjen e niveleve më të larta të bashkëpunimit midis shteteve palë ku Shqipëria bën pjesë me forca paqeruajtëse. Kuvendi miratoi rezolutën Për vlerësimin e punës së Inpektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për vitin 2009, ku ndër të tjera vlerësohet se ILDKP-ja ka ushtruar me vendosmëri kompetencat e tij ligjore dhe ka dëshmuar vullnet të mirë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me struktura të specializuara e përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit e krimit ekonomik, brenda dhe jashtë vendit.
Nëpërmjet kësaj rezolute, Kuvendi, ndër të tjera, i kërkon ILDKP-së që të vijojë forcimin e kapaciteteve për administrimin e konfliktit të interesave në institucionet publike; të kërkojë me më shumë forcë e vendosmëri nga organet e ndjekjes penale procedimin rezultativ të zyrtarëve të zbuluar prej tij në konflikt interesi, etj. Ndërkohë, në rezolutën e miratuar për vlerësimin e punës së Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit për vitin 2009, konstatohet, ndër të tjera, se KKRT-ja ka arritje të dukshme në zbatimin e kërkesave të Kuvendit të Shqipërisë dhe ka bërë përpjekje maksimale për të rritur efiçensën e punës së saj duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së shërbimit të radiove dhe televizioneve dhe në mbrojtjen e interesave të operatorëve dhe konsumatorëve.
Njëkohësisht, rezoluta kërkon nga KKRT-ja marrjen e masave për kalimin sa më të shpejtë në transmetimet numerike brenda afatit të përcaktuar nga Qeveria; rritjen e efikasitetit ndaj luftës kundër piraterisë televizive; zbatimin me rigorozitet të ligjit ndaj operatorëve që transmetojnë programe të propagandës dhe diktaturës komuniste; zbatimin e etikës në transmetimet televizive, respektimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve; të ushtrojë ndikimin e saj tek operatorët radio-televizivë për realizimin e programeve të veçanta për emigrantët, sidomos për mësimin e gjuhës shqipe dhe promovimin e trashëgimisë historiko-kulturore, etj. Gjithashtu, Kuvendi miratoi rezolutën Për vlerësimin e punës së Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit për vitin 2009, nëpërmjet të cilës vlerësohen përpjekjet e vazhdueshme të KDRTSH-së për të rritur imazhin e RTSH-së si një institucion serioz publik kombëtar.
Rezoluta vlerëson se janë bërë përpjekje serioze për përmirësimin e strukturës programore të RTSH-së, duke fituar terren në tregun mediatik, gjë që ka mundësuar rritjen numerike të dëgjuesit dhe teleshikuesit publik të këtij operatori. Më tej, rezoluta vlerëson futjen e edicionit të lajmeve në gjuhën angleze dhe të edicionit informativ për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara shqisore, si dhe përpjekjet për rritjen e pavarësisë editoriale në programet e RTSH-së.
Kuvendi kërkon mbështetje akoma më të madhe nga buxheti i shtetit për përmirësimin e teknologjisë radio-televizive dhe kualifikimin teknik e profesional të personelit të RTSH-së.
Në raportin e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për veprimtarinë e RTSH-së, vlerësohet se RTSH-ja ka nevojë për më shumë mbështetje për të përballuar sfidat dhe për të arritur standardet bashkëkohore. Në radhë të parë, kjo mbështetje duhet ti shërbejë transformimit teknologjik të RTSH-së, për të realizuar dixhitalizimin e plotë të këtij operatori, me synim që ti përshtatet plotësisht zhvillimeve të epokës së transmetimeve numerike. Seanca plenare vijoi punimet me dëgjimin e raportit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani mbi veprimtarinë e këtij institucioni për vitin 2009.
Në fjalën e tij përpara Kuvendit, zoti Fullani theksoi se Banka e Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar, arriti të përmbushë me sukses mandatin e saj ligjor për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në ekonomi dhe se inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit rezultoi brenda objektivit të përcaktuar.
Sistemi bankar shqiptar arriti të ruajë bilance të shëndetshme dhe të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e tij të ndërmjetësuesit financiar dhe atë të furnizuesit me instrumente pagese. Zhvillimet e 3-mujorit të parë të vitit 2010 konfirmojnë rikthimin e plotë të besimit të publikut te sistemi bankar, tha zoti Fullani. Ministri i Financave, Ridvan Bode vlerësoi me nota shumë pozitive performancën e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2009, veçanërisht në kuadrin e politikave fiskale që ky institucion ka ndjekur për të mundësuar shmangien e zhvlerësimit të lekut në raport me valutën e huaj, si dhe ruajtjen e likuiditetit në sistemin bankar.
Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2009 dëshmoi se instrumentet e saj kanë qenë efikase. Ndonëse gjatë vitit 2009 u vu re një zhvlerësim i lehtë i lekut, ky institucion e përdori me efikasitet kursin fleksibël të këmbimit duke bërë të mundur zhvlerësimin më të lehtë të monedhës zyrtare në të gjithë rajonin, si dhe ruajti likuiditetin bankar gjatë një viti të vështirë në të cilin u tërhoqën rreth 10% e depozitave. Përmes një politike aktive afatshkurtër në sistemin bankar u bë e mundur rritja e besimit të publikut në këtë sistem dhe rikthimi i depozitave, tha Ministri Bode.
Më tej, Ministri i Financave tha se ishte optimist për zhvillimin ekonomik gjatë vitit të ardhshëm, pasi vitaliteti i ekonomisë shqiptare dëshmoi se mund të përballojë çdo situatë.
Zoti Bode nënvizoi se detyra e Ministrisë së Financave dhe e Bankës së Shqipërisë është përballimi i sfidës së rikthimit të ritmeve të larta në kreditimin e sektorit privat në harmoni me zhvillimin ekonomik. Seanca plenare i mbylli punimet rreth ores 20:30.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›