E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton vendimin për banesat e ish-pronarëve

Seanca e sotme parlamentare u shoqërua me debate të ashpra midis deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, kërkoi që ligji të mos miratohej sot dhe që të veprohej në ditët në vazhdim në mënyrë që të reflektohej. Kërkesa nuk u mor parasysh nga mazhoranca.

Deputeti demokrat, Gerti Bogdani, tha se lirimi i banesave të pronarëve të ligjshëm është një akt që duhet votuar për të vënë në vend një të drejtë morale të mohuar për 40 vjet me radhë.

"Nisma e qeverisë i ofron kredi me interes zero banuesve aktualë në pronat e ish-pronarëve, duke i hapur rrugën zbatimit të kësaj reforme të domosdoshme", tha ai.Ndërsa ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, kryetar i PR-së, tha se akti i qeverisë është vetëm një hap në zgjidhjen e kalvarit të gjatë të çështjes së pronës në Shqipëri. Në emër të opozitës, që e kundërshton aktin në fjalë, foli deputeti Saimir Tahiri, sipas të cilit vendimi i qeverisë po nxit në fakt një konflikt social dhe luftën e klasave.

"Në 20 vitet e fundit në Shqipëri janë vrarë mbi 8 mijë persona për konflikte pronësie. Faturën për këtë e paguan klasa politike dhe përgjegjësia po ashtu bie mbi të", u shpreh Tahiri. Gjatë diskutimit të tij, deputeti i PS-së replikoi ashpër me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila më pas ndërpreu për pak çaste punimet e seancës. Akti normativ i Qeverisë nr. 3, datë 1.08.2012 "Për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara" synon t'i lirohet prona, pronarëve të ligjshëm, si një e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e njeriut. /Start/

                                                                                             2012-09-13 16:01
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›