E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presione” ODIHR-it? Eschenbaecher: Jemi të paanshëm

Dy ditë para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, në Shqipëri janë shfaqur aludimet për presione ndaj misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it për 8 Majin. Agjencia e lajmeve “BalkanInsight”, në një shkrim të djeshëm, shkruante se një pjesëtar i misionit vëzhgues në Tiranë kishte deklaruar në një prononcim se dy ambasadorë perëndimorë kanë kërkuar një raport pozitiv, me qëllim garantimin e stabilitetit të vendit. “Ata nuk duan që ne të shkruajmë çfarë shikojmë”, citon agjencia, zyrtarin e ODIHR-it, duke ju referuar këshillave të dhëna nga dy ambasadorët. “Ky presion nga ambasadorët, për ta ëmbëlsuar atë që do të shkruhet në raport, është argumentuar nga ata si i nevojshëm, me qëllim për të siguruar stabilitetin e vendit”, shkruan “Balkan Insight”. Gjithashtu, vëzhguesi ka deklaruar se diplomatët perëndimorë në Tiranë besojnë se raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 2009-ës ishte shumë negativ, duke i dhënë mundësi opozitës socialiste të drejtën për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve. Në një prononcim për “Mapo”, zëdhënësi i ODIHR-it Jens Eschenbaecher sqaroi se “është pjesë e metodologjisë së punës së ODIHR-it, që të marrë kontakt me të gjitha palët e interesuara në procesin zgjedhor”. Sipas tij, misioni bisedon me forcat politike, administratën zgjedhore, median dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. “Në këto takime me palët e interesuara, ne dëgjojmë këndvështrime të ndryshme. Por, nuk ka pasur asnjë presion të çfarëdo lloji, nga ndonjë ambasadë apo nga dikush tjetër, sa i takon përmbajtjes apo tonit të vlerësimeve tona për zgjedhjet e ardhshme. Paanshmëria dhe vlerësimi mbi faktet janë baza e metodologjisë vëzhguese të ODIHR-it, siç thuhet edhe në librin e rregullave të vëzhgimit”, u shpreh Eschenbaecher, duke insistuar se ODIHR nuk është për t’i bërë qejfin askujt dhe as për t’i bërë gjërat më të pranueshme. Roli ynë, vijoi Eschenbaecher, është të monitorojmë zgjedhjet dhe të bëjmë vlerësimet e sinqerta në lidhje me përputhjen me standardet e OSBE-së. Giuseppe Milazzo, zëdhënësi i ODHIR-it në Tiranë, i kontaktuar për këtë çështje nga ‘Top Channel’ dha këtë përgjigje: “Nuk na është bërë absolutisht asnjë lloj presioni nga ndonjë ambasadë, apo dikush tjetër në lidhje me raportin e monitoruesve apo në ndonjë aspekt tjetër të misionit. Duam të theksojmë përsëri paanshmërinë tonë. Për ne, vetëm faktet e mbledhura gjatë zgjedhjeve janë themeli i metodologjisë së punës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›