E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi nis reformen miratohen komisionet e perkohshme

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme me 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime ka miratuar themelimin e dy komisioneve të përkohshme, të cilët do të merren me amendimin e Kushtetutës dhe ndryshimin e  Ligjit për “Zgjedhjet e Përgjithshme”.

Komisionet do kenë nga nëntë anëtarë, ai për ndryshimet kushtetuese do të kryesohet nga deputeti i PD-së së Kosovës, Arsim Bajrami, ndërsa komisioni për reformën zgjedhore do të udhëhiqet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Demolli.

Kryesuesi i komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami për Albanian Screen tha se ndryshimet kushtetuese nuk do të përfshijnë vetëm institucionin e presidentit, por do të përqendrohen edhe në bartjen e kompetencave të mbetura nga prezenca civile ndërkombëtare tek institucionet e Kosovës.
 
“Reforma kushtetuese do të përfshijë disa segmente. Pa dyshim që segmenti kryesor është reformimi i institucionit të presidentit, përkatësisht mënyrës së zgjedhjes dhe tani kemi një konsensus për zgjedhje  të drejtpërdrejtë të tij. Reforma do të përfshijë edhe segmente të tjera që do të mundësojnë reformimin e sistemit zgjedhor”- tha Arsim Bajrami , kryesues i komisionit për ndryshimet kushtetuese.
 
Ndërsa kryesuesi i komisionit për reformën zgjedhore,  Haki Demolli tha se ndryshimet e ligjit për zgjedhje nuk duhet të jenë vetëm politike, por edhe juridike. Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur me shumicë votash Gani Gërgurin, Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, me 58 vota , ndërsa kundërkandidati, Safet Merovci mori vetëm 15 vota.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›