E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani ne OKB Shqiperia politike te matur makroekonomike

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në fjalimin mbajtur në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka evidentuar rritjen e fuqishme ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht ndikimit të krizës globale ekonomike dhe financiare. Kreu i shtetit, ka deklaruar se ndjekja dhe zbatimi i politikave të matura makro-ekonomike dhe reformat e mirëstrukturuara, përqendrimi tek privatizimet, drejtësia fiskale, liberalizimi i tregtisë, klima e sipërmarrjes, sektorët e energjisë dhe financiarë – të gjitha këto kanë bërë të mundur që ekonomia e Shqipërisë të jetë më elastikja ndër ekonomitë e Evropës Juglindore.
 “Gjatë viteve 2007-2012, rritja mesatare ekonomike e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qenë 5%, duke kulmuar në vitin 2008 në 8%. Që nga viti 2008 Shqipëria ka pasur taksën e sheshtë prej 10%; taksa ndaj koorporatave është ulur nga 25% në 10%; taksa e të ardhurave vetjake është ulur nga 23% në 10% dhe dhjetëra tarifa janë hequr fare. Raporti i Konkurrencës Globale 2011-2012 i Forumit Ekonomik Botëror e rendit Shqipërinë në vendin e 78 mes 142 vendesh dhe ekonomish. Po ashtu, Raporti “Të bërit biznes, 2012” i Bankës Botërore mbi “Lehtësinë e të bërit biznes” e rendit Shqipërinë në vendin e 82 në mes të 183 ekonomive. “Për marrjen e kredisë” dhe “Mbrojtjen e konsumatorëve” Shqipëria renditet respektivisht në vendin e 24 dhe në atë të 16, renditje që e vendos Shqipërinë në mes të vendeve me rezultatet më të larta”, u shpreh Presidenti Nishani, në fjalën e tij në sesionin e 67-të të OKB-së.
Presidenti Bujar Nishani, theksoi se këtë vit Shqipëria kremton 100 vjetorin e Pavarësisë. Ai u shpreh se, shqiptarët do të përkujtojnë një shekull të mbushur plot e përplot me ngjarje të ndryshme, disa prej të cilave nuk kanë qenë edhe aq të këndshme.
 “Këtë vit Shqipëria kremton Njëqindvjetorin e Pavarësisë. Teksa shënojmë këtë datë të rëndësishme dhe i hedhim një sy historisë sonë gjatë këtyre dhjetë dekadave, vërejmë me kënaqësi se më tepër se gjysma e kësaj periudhe është karakterizuar nga një bashkëpunim i suksesshëm dhe pjesëmarrje aktive nga ana e shtetit shqiptar në jetën e Kombeve të Bashkuara.
Përkushtimi ynë ka ardhur duke u rritur përgjatë viteve dhe ka përqafuar pothuajse çdo aspekt të veprimtarisë së Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe operacionet paqeruajtëse. Ndihem krenar që përfaqësoj një vend dhe një shoqëri, që njihen gjerësisht për mendjen e hapur, tolerancën dhe pranimin e “tjetrit”. Shqiptarët ndoshta përfaqësojnë shembullin e vetëm në rajonin tonë, të cilët edhe pse kanë kaluar përmes shumë vështirësive historike përgjatë shekujve, gjithmonë kanë ditur të ruajnë dhe të mbrojnë vlerat e lirisë dhe respektit për të tjerët, që kanë qenë të ndryshëm – vlera këto që gjenden në themelin e konceptit bashkëkohor të të drejtave të njeriut. Respekti që kanë dhe tregojnë shqiptarët ndaj individualitetit dhe të drejtave të të tjerëve shprehet mbi të gjitha me anë të harmonisë shembullore fetare”, vuri në dukje kreu i shtetit shqiptar. 
Gjatë fjalimit të tij në Asamblesë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kreu i shtetit është ndalur në mënyrë të veçantë tek situate në rajonin e Ballkanit. Zoti Nishani, nënvizoi se krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës, e ka shndërruar atë në një factor të rëndësishëm të paqes.
 “Me kalimin e kohës, Kosova e pavarur është njohur dhe pranuar nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh, ku përfshihen gati gjysma e anëtarëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mendimi Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i dhënë në vitin 2010 në përgjigje të një kërkese të veçantë të Serbisë, qartësisht përcaktoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar. Vetëm disa ditë më parë, Kosova arriti një tjetër nivel të konsolidimit të shtetit me dhënien fund nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të Fazës Mbikëqyrëse të Pavarësisë. Kemi dëgjuar edhe më parë dhe presim të dëgjojmë sërish argumentet e tepërta të Serbisë në lidhje me Kosovën. Ajo që dështoi të arrihej me luftë, nuk mund të arrihet dot me propagandë. Ndërsa udhëheqësit e Serbisë flasin për copëtim dhe rihartim kufijsh, teksa ata lëshojnë deklarata shqetësuese duke mohuar gjenocidin e Srebrenicës, gjithsecili ka të drejtë të ngrejë pyetjen nëse e shkuara vazhdon akoma të endet mbi të tashmen duke mjegulluar realitetin e duke i ngatërruar vizionin për të ardhmen”, nënvizoi Nishani.
Presidenti i Republikës, deklaroi se Shqipëria, me politikën e saj të jashtme për paqe dhe marrëdhënie të mira me vendet e tjera; me kontributin e saj modest, por të rëndësishëm në misionet ndërkombëtare në mbrojtje të paqes dhe të drejtave të njeriut, është kthyer në një prodhuese dhe kontribuese e drejtpërdrejtë e qëndrueshmërisë dhe sigurisë rajonale e globale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›