E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Bashkëpunim dhe drejtësi e standartizuar për shqiptarët

 Kreu i shtetit Bamir Topi ka dhënë një pritje për ditën e drejtësisë ndërsa ka tërhequr vëmendjen se sa i rëndësishëm është funksionimi normal i sistemit të drejtësisë, si garant i një demokracie funksionale e me standarde.

“Dita e Drejtësisë” festohet sot në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje kjo e përmasave të një gëzimi mbarëkombëtar dhe me impakt jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por kudo që ata ndodhen. Në këtë përvjetor të gëzuar, Shqipëria është përpara sfidës së marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Përtej intensitetit të bashkëpunimit politik për të realizuar rekomandimet e Bashkimit Evropian, vlerësoj se në këtë proces drejt integrimit evropian, performanca e veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, funksionimi normal i tij dhe i aktorëve të tjerë që lidhen me të, janë komponentë shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Prandaj, në këtë 10 maj, thirrja ime është tërheqja e vëmendjes lidhur me rëndësinë thelbësore që ka funksionimi normal i drejtësisë në këtë proces të rëndësishëm për vendin. Këndvështrimi im, si President i Republikës përsa i përket procesit të integrimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në këtë kuadër, shkon përtej kësaj. Është në themel të funksionimit të një shoqërie demokratike normale dhe garant i saj, mirëfuksionimi i dhënies së drejtësisë." theksoi Topi

Sipas tij, shqiptarët kanë të drejtë t`u ofrohet një drejtësi e standardizuar, profesionale me integritet të lartë moral për të drejtat dhe liritë themelore të tyre.

“ Fuksionimi normal i pushtetit gjyqësor parandalon sjelljen abuzive me pushtetin, parandalon shkeljet e ligjit, parandalon pasojat e rënda që vijnë nga mosfunksionimi normal i institucioneve dhe raporteve sociale. Në thelb, demokracia funksionale është e lidhur pazgjidhmërisht me funksionimin normal të pushtetit gjyqësor. Shqiptarët, ashtu si dhe qytetarët e tjerë evropianë kanë të drejtën që t`u ofrohet një drejtësi e standartizuar, profesionale, me integritet moral të lartë, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre dhe për të evituar amplifikimin e së padrejtës. Në vetvete, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është proces i përmirësimit të demokracisë së brendshme, pra integrimi duhet parë si shtysë, dhe jo si qëllim në vetvete. Demokracia dhe forcimi i pushtetit gjyqësor nuk është për t’iu treguar partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria është e aftë të ndërtojë Shtetin e së Drejtës dhe të garantojë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ajo në fakt, është procesi i brendshëm i transformimit të shoqërisë, institucioneve, përfshirë dhe drejtësinë, në krjimin dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike me parametra dhe standarde të demokracive të zhvilluara. ” shtoi më tej kreu i shtetit.

Sipas tij, më tepër se sa kritika ndaj sistemit, duhet të mbizotërojë mbështetja e plotë për reformimin e tij, duke iu dhënë më shumë, duke iu krijuar më shumë hapësira ligjore, financiare dhe infrastrukturore, për mirëfunksionimin e tij.

“Thirrja ime, të nderuar pjesëmarrës, në këtë ditë është për bashkëpunimin institucional dhe rritje të përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor në përballimin e sfidave të kohës. Sa më drejtë dhe sa më mirë t`u përgjigjet ky sistem këtyre sfidave, aq më garantues është funksionimi i demokracisë në Shqipëri dhe aq më të pranueshëm bëhemi për të hyrë në familjen evropiane, mbi të njëjtat standarde dhe mënyrë funksionimi të sistemit. Është një barrë e rëndë, por në të njëjtën kohë, një mision fisnik për ju të nderuar gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që nëpërmjet ushtrimit të funksioneve tuaja, me profesionalizëm dhe integritet moral të bëni të mundur ecjen përpara të vendit dhe shoqërisë drejt konsolidimit të një demokracie funksionale dhe garantimit të rrugës drejt Bashkimit Evropian” shtoi Topi.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›