Kuvendi pritet të votojë sot kandidaturën e Leskajt
Pas marrjes së “OK” në komisionin e ekonomisë, kandidatura e Bujar Leskajt për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit pritet të votohet sot në seancën plenare.
Pas debateve të gjata mes deputetëve demokratë dhe socialistë në komisionin e ekonomisë, shumica votoi pro Bujar Leskajt duke e vlerësuar atë si një figurë që i përmbush kriteret profesionale dhe ligjore për të drejtuar KLSH-në.
Ashtu siç ka paralajmëruar më herët, opozita pritet të votojë kundër dekretit të presidentit Topi për të emëruar Leskajn në krye të KLSH-së por pavarësisht votës kundër të saj, çështja e 71 votave pro duket se është e zgjidhur.
Një tjetër çështje që pritet të shkaktojë debat mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës është edhe projektligj “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” që pritet të shqyrtohet sot në seancën plenare të Kuvendit.
Deputetët e PS-së janë shprehur hapur kundër privatizimit të Albpetrolit pasi sipas tyre ka dritëhije dhe pas tij fshihen afera korruptive.
Por ministria e ekonomisë parashikon që me privatizimin e Albpetrolit të sigurohen investime private në zhvillimin e sektorit të naftës si dhe të pëmirësohet teknologjia dhe sistemet e menaxhimit në këtë sektor.
Ndërkohë në seancën e sotme plenare është parashikuar edhe një interpelancë me Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto e kërkuar nga deputetja e Partisë Sociaslite Arta Dade.