Kuvendi, pritet votimi për qeverinë dhe Gjykatën e Lartë
Sot, emrat e Presidentit në sitën e deputetëve
Pritet edhe miratimi i emrave të rinj të qeverisë
Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot dekretet e Presidentit Bamir Topi për ministrat e rinj. Njëkohësisht, po sot, pritet që Kuvendi të kalojë në votim edhe dekretet e Presidentit lidhur me anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, duhen pritur zhvillimet e ditës së sotme për të kuptuar më saktësi nëse dekretet e Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë do t’i nënshtrohen votimit. Burime zyrtare nga Kuvendi thanë dje për “standard” se pritet që sot Kuvendi të votojë ndryshimet e reja në qeveri. Presidenti e ka dhënë që ditën e premte miratimin e tij për emrat e rinj të qeverisë Berisha. Në lidhje me dekretet për anëtarët e Gjykatës së Lartë është marrë miratimi nga Komisioni i Ligjeve. Si e tillë pritet që seanca e sotme të shërbejë për t’i votuar.
Ndryshimet në qeveri
Ditën e premte, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi emërimin dhe shkarkimin e disa ministrave të qeverisë Berisha. Në bazë të këtyre ndryshimeve qeveria merr formën e saj të plotë. Kështu, në vend të Gazmend Oketës, që para disa muajsh mbante postin e zv.kryeministrit, do të jetë Genc Pollo, i cili shkarkohet së pari nga posti i ministrit të Arsimit dhe Shkencës për të qenë më pranë Kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha propozoi nënkryetarin e Kuvendit, Fatos Beja, në vend të Pollos, çka mundësoi që kjo ministri pas tre vjetësh, të kthehet në duart e PD-së. Një tjetër ndryshim është ai i Ministrisë së Shëndetësisë. Përmes Anila Godos, vajzës së politikanit të njohur, republikanët rikthehen në qeveri, ndërsa kreu i PDK-së aktualisht mbetet vetëm në mazhorancë. Kjo është skema e re e formulimit të qeverisë e cila sjell nevojën e një gjetjes së emrit të duhur për numrin dy të Kuvendit në vend të Fatos Bejës.
Gjykata e Lartë
Gjashtë emrat që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi për anëtarë të Gjykatës së Lartë pritet të përballen sot me betejën e fundit, me votën e Parlamentit për t’u bërë ligjërisht anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Ditën e premte ata bënë një prezantim para deputetëve të Komisionit të Ligjeve duke folur rreth punës në vite dhe specializimeve që mbajnë mbi supe. Pas kësaj, komisioni u shpreh parimisht dakord mbi të gjashta kandidaturat, duke e shoqëruar edhe me një raport që do t’u paraqitet deputetëve në momentin e votimit. Kuvendi kishte përgatitur një dosje individuale mbi çdo kandidat me të dhëna nga të gjitha institucionet që kërkoi informacion. Por ajo që solli debat ishin disa letra të dërguara nga qytetarët të cilët ankoheshin mbi punën e kandidatëve. Opozita në komision kërkoi që letrat të mos merreshin farë parasysh, në të kundërt me mazhorancën, e cila kërkoi t’i konsideronte pjesë të dosjeve. Gjashtë kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë kaluan në përzgjedhje përmes një grupi pune fillimisht në Presidencë. Nga 105 kandidatë, Presidenti Topi zgjodhi Aleksandër Muskajn, Evelina Qirjakon, Arjana Fullanin, Andi Çelikun, Majlinda Andrean si dhe Guxim Zenelajn, si kandidatë të përshtatshëm për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë.