PS: Gjendja Civile shpërndau certifikata në mënyrë të parregullt
Vetëm pak orë para mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet e pjesshme në Kashar, Partia Socialiste pretendoi parregullsi në procesin e shpërndarjes së certifikatave. Sipas deputetit Ndriçim Hysa, zyra e Gjendjes Civile ka shpërndarë në mënyrë të parregullt certifikata për pjesëtarë që nuk janë paraqitur aty, ndërsa KQZ-ja ka shtyrë orarin e shpërndarjes së certifikatave me një dokument fare qesharak, një korrespodencë e një muaji më parë me Komunën Paskuqan.
Por sipas punonjëses së Gjendjes Civile, Komuna Kashar, procesi i shpërndarjes së dokumenteve të identifikimit për ditën e zgjedhjeve ka ecur normalisht duke pretenduar se pothuajse në 100% të rasteve ajo ka vendosur pajisjen mbi bazën e njohjes së banorëve, duke pasur parasysh se ajo shërben prej vitesh në këtë zyrë. Në zgjedhjet e pjesshme në Komunën Kashar garuan 4 kandidatë, përkatësisht nga forcat politike PD, PS dhe LSI dhe një kandidat i pavarur. Të gjithë të zgjedhurit lokalë në këtë komunë që nga viti 2000 janë arrestuar nën akuzën e abuzimit me pronat dhe lejet e ndërtimit, arsye për të cilën edhe u thirrën këto zgjedhje.