E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota për dekretet, PD e PS vendosin në mbledhje grupi



Në prag të votimit të gjashtë dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk ka ende një ide të qartë se cila do të jetë vota e dy partive të mëdha për emrat. Të dyja partitë ua delegojnë vendimmarrjen mbledhjeve të grupeve parlamentare që pritet të zhvillohen sot rreth mesditës. Nëse në rastin e pesë dekreteve të para PS-ja e PD-ja u pozicionuan hapur pro dhe kundër, në këtë rast partitë e mëdha kanë preferuar të heshtin duke ia lënë vendimin grupi kuvendor ose më mirë, votës së fshehtë në Parlament, ku vetëm pas numërimit të votave do të kuptohet nëse kandidatët e kalojnë provën. E vetmja parti që deri më tani e ka shprehur hapur votën pro gjashtë kandidatëve është Lëvizja Socialiste për Integrim. Spartak Braho, anëtar në Komisionin e Ligjeve, deklaroi të premten se LSI-ja do të votojë pro dekreteve të Presidentit. Gjithsesi, duket se këtë herë vota e dy partive do të jetë selektive dhe jo në bllok, pro ose kundra. Partia Socialiste në momentin kur u publikuan emrat ishte skeptike dhe sekretari për çështjet ligjore ne selinë rozë, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa, deklaroi se kandidatët nuk përmbushin kriteret e duhura duke vlerësuar vetëm faktin se janë tri femra dhe tre meshkuj, si të vetmin kriter pozitiv. Megjithatë, ditën e premte, pasi Komisioni i Ligjeve mbaroi mbledhjen, Xhafa dha sinjale të një tërheqjeje nga qëndrimi fillestar duke u munduar që të hedhë hije dyshimi mbi qëndrimin e demokratëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›