E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Kashar, asnjë ankesë nga partitë



KQZ-ja pritet të shpallë sot rezultatin

Zgjedhjet, të qeta dhe normale

Zgjedhje të qeta dhe pa asnjë incident që mund të cenonte integritetin e tyre. Kështu mund të përkufizohen zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan dje në Komunën e Kasharit në Tiranë. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 18 qendra votimi për 13 mijë votues që ka Komuna e Kasharit janë hapur në orën 7 të mëngjesit duke u mbyllur në mbrëmje sapo në këto qendra votimi nuk ka pasur më zgjedhës. “Vazhdon gjithçka normalisht. Komplet brenda të gjithë parametrave ligjorë me të cilët KQZ-ja ka procedurë në çdo raund. Ecuria ka qenë e qetë. Deri në këto momente nga informacionet që kemi gjithçka ka ecur normalisht, nuk ka pasur shqetësime”, - deklaroi Leonard Olli, zëdhënës i KQZ-së. Gjatë votimeve të djeshme, në garë morën pjesë katër kandidatë: Besnik Fuçia i PD-së, Sinan Egra, kandidat i Partisë Socialiste, Alfred Bakalli i LSI-së dhe Rustem Murati, kandidat i pavarur. KQZ-ja përgatiti një ekip pune të ndarë në 2 grupe me nga 13 anëtarë për numërimin e këtyre votave.

Zëdhënësi i KQZ-së bëri të ditur se edhe nga subjektet politike nuk ka pasur asnjë ankesë. Rreth orës 19:00 qendrat e votimi u mbyllën dhe më pas filloi transportimi i kutive drejt KZQV-së nën shoqërimin e Policisë së Shtetit. Ndërkohë që më pas filloi numërimi i votave, ndërsa sot pritet që KQZ-ja të shpallë rezultatin.

Kandidatët

Në tërësi kandidatët janë shprehur për një proces normal, duke veçuar këtu vetëm kandidatin socialist, Sinan Egra, i cili ka shprehur shqetësimin që krijon prania e ministrave. "Për mua është problem shqetësues pjesëmarrja e ministrave dhe deputeteve të PD-së, sepse kur paraqiten para qendrave, bëjnë irritim të banorëve të zonës, presion psikologjik për të vepruar jo në mënyrë të rregullt, pra për të votuar në mënyrën që duhet", - u shpreh Sinan Egra. Nga ana tjetër, kandidati demokrat u shpreh i kënaqur për ecurinë e procesit të votimit. “Komisionet janë në maksimumin e përgjegjshmërisë së tyre. Dhe nga rivalet e tjerë nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Unë tashmë kam fituar, po e vendos tjetër kush. E vendos komuniteti, pjesë e së cilës jam dhe unë", - tha Besnik Fuçia. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kandidati tjhetër i majtë, kandidati i LSI-së, i cili në dallim me Egrën, ai deklaroi se procesi kishte një ecuri të kënaqshme. "Deri tani po ecën mirë dhe unë besoj në fitore. Kam mbështetje të mirë, më tej të shohim", - tha Alfred Bakalli.

Zgjedhjet në Kashar zhvillohen gjashtë muaj pasi kryetari i kësaj komune i dalë nga zgjedhjet e 17 shkurtit të 2007-ës u arrestua për mbivendosje pronash në këtë komunë. E djathta u paraqit e bashkuar në këto zgjedhje në të kundërt me të majtën. LSI-ja dhe PS-ja u paraqitën me kandidatë më vete, çka mund të çojë në përçarje votash.

Zgjedhjet

Masat e policisë, asnjë incident i regjistruar

Deri në orët e pasdites, në të gjithë Qarkun e Tiranës nuk është evidentuar asnjë incident në lidhje me procesin zgjedhor në Komunën e Kasharit dhe rendin e sigurinë publike në tërësi. Sipas burimeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës gjatë pasdites së djeshme, me fillimin e veprimeve paraprake nga komisionet e qendrave të votimit për çeljen e votimit, në Komunën Kashar, strukturat e kësaj policie janë tërhequr nga objektet zgjedhore, duke u vendosur më pas brenda komisariatit të policisë nr. 6, si dhe në vendet e dislokimit larg qendrave të banuara, sipas miratimit të bërë dhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor, shërbime të cilat do të lëvizin vetëm me kërkesë të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe KZQV-së, si dhe në rastet e ngjarjeve apo konstatimeve të shkeljes e cenimit të rendit publik dhe në ngjarje konkrete. Ndërkohë, në kuadër të masave të marra në zbatim të detyrimeve ligjore për zhvillimin normal të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar komune në organet e qeverisjes vendore të Komunës Kashar në Tiranë, policia e kryeqytetit bëri më dije se që më datë 21 korrik të këtij muaji u krye shoqërimi me punonjës policie i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me materialet zgjedhore, nga shtypshkronja “ABC” në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më pas në Pallatin e Kongreseve ku është vendosur KQZ-ja. Shoqërimi i tyre u bë sipas kërkesës së paraqitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërkohë, në datë 25 korrik u krye shoqërimi i materialeve zgjedhore nga Pallati i Kongreseve ku është vendosur KQZ-ja, për në KZQV-në e Komunës Kashar, e cila është vendosur në godinën e shkollës publike “Sadik Stavaleci” Mëzes-Kashar Tiranë. Një ditë më pas, nga ora 12:00 deri në orën 13:00 të ditës së djeshme, u krye instruktimi i të gjithë punonjësve të policisë të angazhuar me detyra për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore. Në këtë kuadër, i gjithë personeli policor i angazhuar me detyra zgjedhore është i pajisur me dokument identifikimi, i cili përmban gradën, emrin dhe mbiemrin e punonjësit të policisë, numrin kodik, si dhe numrin e qendrës së votimit apo KZQV/VNV-së. Ndërkohë që të gjitha automjetet e policisë të angazhuara në detyra zgjedhore mbajnë në xhamin e përparmë të tyre tabelën me siglën “AUTOMJET I POLICISË I ANGAZHUAR NË DETYRA ZGJEDHORE”, me targën përkatëse, firmën dhe vulën e institucionit.

Kashar, pjesëmarrja, mbi 50%

Pjesëmarrja e zgjedhësve në votimet e djeshme në Komunën e Kasharit i ka kaluar 50%. Edhe pse gjatë pjesës së parë të ditës u shënua një pjesëmarrje e ulët, deri në 35%, parashikimet u tejkaluan në orët e pasdites duke arritur deri në 50%. Mbi 13.000 votues ishin të pranishëm në listat për zgjedhjen e kryetarit të Komunës Kashar. Në këto zgjedhje morën pjesë banorët e fshatrave 1 dhe 2, Katund i ri, Kashar Qendër, Kashar Kodër, Fshati Mazrek etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›