“Gazep ka qenë e gazep do të mbetet”
Pikëgrumbullimi i plehrave të kryeqytetit, një nga vendet me të ndotura të Tiranës që prodhon pafund tym dhe erë të rëndë
Ndodhemi përpara një rruge me gur të vegjël, së cilës nuk ia gjen dot fundin. Pluhuri kishte shtëpinë e tij në këtë vend. Rreth e përqark sheh vetëm baraka të vogla teneqeje me vazo lulesh dhe që të gjitha servirin sende për në botën tjetër. Në fakt, kur udhëton për në Sharrë, pak kilometra nga Tirana, nuk ka se si të mos të të krijohet përshtypja se je një biçim heroi mitik, që po zbret në “had” (ferri sipas mitologjisë greke) për të zbuluar se çfarë ka atje, me shpresën se mund të kthehesh sërish në sipërfaqe. E gjithë kjo mund të duket si tentativë për të bërë ironi, por edhe duke lënë mënjanë figurat mitike, e vetmja gjë që mund të lidhësh me Sharrën, njëkohësisht pikëgrumbullimi i plehrave të Tiranës dhe varreza e madhe e kryeqytetit, është bota e përtejme. Ndërsa në varret buzë kodrës të rrethuara nga gjelbërimi prehen të vdekur, pak metra më tutje del tymi që me siguri shkakton të paktën dhjetëra mushkëri të sëmura në rrethina e kryeqytet.
Makinat që kalojnë këtu jo vetëm që e shtojnë pluhurin, po duket se i bëjnë edhe muzikë që ky i fundit si “zot shtëpie” të marrë një valle për nderimin e cilitdo kalimtari të mundshëm që viziton Sharrën. Në fillim të rrugës takon një 50-vjeçar, banor i vjetër i Sharrës. Ai na shpjegon se ky vend ka qenë që më 1973 një kantier plehrash. “Plehrat që vinin këtu ishin nga më të ndryshmet, pasi duke qenë se Tirana ishte një frutikulturë, të gjitha mbetjet si, portokall, rrush, madje dhe goma makinash të nxjerra jashtë përdorimit, kur digjeshin këto mbeturina krijonin një erë që vështirë se mund ta harrosh ndonjëherë”, - shprehet 50-vjeçari. “Ose thënë ndryshe, gazep ka qenë e gazep do mbetet, pasi vendi jo vetëm që është zaptuar nga plehrat dhe era e keqe, që tashmë janë pjesë e historikut të këtij vendi, nuk mungon dhe rruga e shkatërruar, gjë për të cilën u premtua nga qeveria se do të rregullohej brenda katër muajsh. Tenderi u paraqit në shtator të 2006-2007, deri tani ka kaluar një vit i tërë e askush nuk e merr mundimin të jap një përgjigje se pse po vonohen këto punime?”
Pas viteve ‘90 plehrat jo vetëm që po digjeshin dy herë në vit e më shumë, por po vinin në sasi tepër të mëdha për kapacitetin e këtij vendi. Në këtë kohë kemi dhe fluksin e të ardhurve nga zonat malore e jugore e kryesisht nga Tropoja, Kukësi, Dibra, Përmeti, Korça, Vlora, Skrapari e Pogradeci, duke e shtuar numrin e banorëve në mbi 1000 mijë banorë. Këtu nuk kemi llogaritur 3000 mijë romët që jetojnë pikërisht mu në krah të grumbullimeve tepër të mëdha të plehrave.
Vazhdon të ecësh drejt rrugës, sytë të vishen nga pluhuri dhe nuk arrin të dallosh madje as dhe një shkurre, të duket sikur vapa e tepërt po të krijon halucinacione, pasi shikon barishte e shkurre krejtësisht të veshura me një petk të bardhë sa të jep përshtypjen se janë të bëra me mermer. Menjëherë ia hedh fajin vapës përvëluese, por kur mbërrin afër shkurres dhe e prek, vëren se këtë petk po ta fërkosh disa herë, hiqet dhe del në pah ngjyra jeshile, ishte vetëm pluhur dhe tym. Gjithsesi, me një habi apo zhgënjim, qoftë dhe gëzim, pasi nuk po shihnim halucinacione, edhe pse dielli kishte arritur kulmin e tij, ne vazhdojmë të rrugëtojmë, dallojmë disa shtëpi, tjegullat e të cilave kishin pikërisht petkun e pluhurit. Pak më tutje të shfaqet “madhështore” hapësira prej mbi 10 hektarë tokë plehra.
Mbi shtëllunga të stërmëdha mbeturinash shikon dhe disa koka që futen aty, gërmojnë dhe diç nxjerrin në sipërfaqe. Duke u afruar më shumë gërmadhës, shikon dhe fëmijë të moshës 10-vjeçare. Ishin zhytur kokë e këmbë, janë fëmijë romë dhe kur i pyet se çfarë bëni këtu, ata të përgjigjen thjesht me atë pafajësinë që e karakterizon një fëmijë të kësaj moshe, se po mbledhin bidonë. Një tjetër të thotë se mblidhte letra, dikush kanoçe dhe të gjitha këto ua çonin prindërve që ishin pak më tutje ose një zotërie që vinte e i blinte këto. Kur i pyet se sa rrugë duhet të bënin për të ardhur çdo ditë në këtë vend, fëmijët tregojnë më gisht se ja tek është shtëpia e tyre. Vëzhgon vendin nga këta çamarrokë të tregojnë me gisht dhe nuk arrin të bësh dot dallimin e një vendbanimi dhe grumbullit të madh të mbeturinave.
Vendi që këta romë e quanin shtëpi, nuk kishte asgjë të përbashkët me këtë fjalë, këto shtëpi ishin të ndërtuar nga kartonë të mëdhenj, disa hekura të cilët mendohet të jenë themelet e shtëpisë. Nuk kishte dritare, një derë e bërë sigurisht me kartonë, si dhe ajo gjoja çati. Afrim Askuti, një 20-vjeçar, na shpjegon më mirë se si jetojnë jo vetëm romët, por dhe banorët e tjerë. “Ne bëjmë një thes të madh me letra, bidonë e kanoçe, më pas i ngarkojmë në dumdum (triçikël) dhe i shpiem tek një magazinë e vjetër, ku i grumbullojmë të gjitha dhe më pas i shesim me tre mijë lek të vjetra për çdo thes. Në këtë mënyrë e gjithë zona siguron një vend pune dhe bukën e gojës. Plehrat janë të vetmet që na mbajnë gjallë, edhe pse jemi duke marrë sëmundje nga më të ndryshmet si pasojë e ajrit tejet të ndotur, e higjienës që ke frikë ta zësh me gojë në këtë vend”, - thotë 20-vjeçari. Ndërsa për sa i përket shkollimit, diku këtu ndodhet një shkollë 9-vjeçare, por që mund të ketë vetëm tri klasa, pasi të tjerët i çojnë fëmijët në shkollat e Tiranës. “Kryefamiljarët mundohen të gjejnë ndonjë punë, ndërsa gratë janë shtëpiake; dikush është munduar të krijojë një kopsht me domate apo kastraveca apo speca, por pa rezultat, pasi të gjitha u thanë e u prishën. E vetmja gjë që mund të themi është se shyqyr që mund të jetojnë bagëtitë, që të mund të kemi një mundësi për sigurimin e të ardhurave për një jetesë minimale”.
Samir Muça, një tjetër banor i Sharrës, si dhe përgjegjësi i rregullimit të makinave që sjellin plehrat, na shpjegon se “sot po punohet shumë për të eliminuar këto mbeturina, edhe pse puna që bëjmë është e papërfillshme, sepse këtu vijnë mbi 40 makina me plehra inerte në 24 orë. Ne jemi vetëm pesë punëtorë, katër fadromistë dhe një përgjegjës. Jemi të punësuar nga një firmë italiane. Puna që na duhet të bëjmë është ta sheshojmë vendin bashkë me plehrat dhe më pas t’i hedhim dhe sipër. Kemi hapur dhe një gropë të madhe, e cila është mbi 150 metra lartësi e rreth 200 metra gjatësi. Mendohet se në këtë gropë do të hidhen për tre vjet mbeturinat e gjithë Tiranës”. Pamje tepër të mjerueshme. Disa shtëpi kartoni e ndërkohë fare pranë dergjen hijerënda e madhështore varrezat, që duken si një qytet pasanikësh me pllakat e ndritshme e lulet që mbulojnë çdo vend. Vetëm se as ato nuk i shpëtojnë dot pluhurit, i cili u zbukuron mjedisin, plehrat e era, si pjesë e pandashme e këtij vendi.