Shqipëri - Izrael, hyn në fuqi marrëveshja për vizat
Dje, më 27 korrik, hyri në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Izraelit për heqjen e regjimit të vizave mes të dy vendeve. Sipas ambasadorit tonë në Izrael, Tonin Gjuraj, kjo masë do të ndikojë në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve dhe do të rritë fluksin e turistëve izraelitë për të vizituar apo kaluar pushimet në Shqipëri. Pak ditë më parë edhe Parlamenti i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar midis Shqipërisë dhe Maqedonisë për një regjim të liberalizimit të plotë të lëvizjes së qytetarëve të dy vendeve, duke plotësuar kështu procedurat parlamentare reciproke për hyrjen në fuqi të saj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë e përshëndeti këtë akt të Parlamentit të Maqedonisë dhe shprehu besimin e tij të plotë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të japë produkte të konsiderueshme pozitive për shtetasit e të dy vendeve tona.