Kuvendi, puna nis më 18 janar
Sesioni i dytë i punimeve parlamentare të Legjislaturës XVIII pritet të nisë zyrtarisht më 18 janar. Në bazë të Nenit 42 të Rregullores, Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit. Mbi bazën e kësaj përllogaritjeje i bie që më 18 janar të zhvillohet mbledhja e parë konferencës së kryetarëve të grupeve parlamentare dhe të përcaktohet agjenda e punimeve me miratimin e programit dhe të kalendarit dyjavor. Ky sesion zgjat nga janari deri më korrik të 2010. Nga sesioni i kaluar kanë mbetur më shumë se 10 ligje pa u shqyrtuar. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë një kalim në seancë me një shumicë të cilësuar votash siç janë, Kodet e ndryshme apo dhe projektligji "Për krijimin e Gjykatës Administrative". Sesioni i parë që nisi në 9 shtator dhe përfundoi në dhjetor pati si të veçantë mungesën e opozitës në Kuvend.