Milo: Strategjia e opozitës, asnjë komunikim me PS
Aristir LumeziKreu i PDS-së, Paskal Milo, duke analizuar situatën politike në vend, pas 28 qershorit dhe javëve të fundit të 2009, shprehet se mungon një strategji e diskutuar dhe miratuar nga partitë aleate opozitare. Sipas tij, mungon prej javësh një komunikim direkt me PS-në, për atë që pritet të bëjë opozita. Milo shprehet se nëse kërkohet bashkëpunimi opozitar për zgjedhjet e ardhshme, ky duhet të nisë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, kodit dhe mënyrës se si do të votohet. Ai propozon votimin dhe numërimin elektronik të votës. Viti që sapo u mbyll konsiderohet si jo i suksesshëm për opozitën, duke filluar që nga zgjedhjet e qershorit e veçanërisht periudha pas zgjedhore, e cila nuk ka sjellë asnjë rezultat. Cili është mendimi juaj për këtë periudhë?Viti 2009 në gjysmën e parë të tij ka qenë shumë shpresëdhënës për opozitën, por për fat të keq gjysma e dytë e vitit u bë shumë disfatist nga pikëpamja e interesave të saj. Ngjarja qendrore e vitit 2009 padyshim mbeten zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat nga pikëpamja e opozitës nuk janë të humbura realisht, por që fakti është i tillë që opozita shqiptare vazhdon të mbetet jo vetëm jashtë Kuvendit, por edhe jashtë ekzekutivit. Me pak fjalë, opozita nuk arrti qëllimin e saj madhor për të cilin kishte katër vjet që përgatitej për të ardhur në pushtet. Nëse do të bënim një analizë të arsyeve, shkaqeve që e çuan opozitën në humbje, padyshim që do të ishte gabim të mendohej se për gjithçka e ka fajin Sali Berisha dhe maxhoranca dhe kutitë e vjedhura të votimit. Kemi pasur rastin dhe e kemi vënë në dukje se PS, si partia kryesore e opozitës, bëri një numër gabimesh të karakterit strategjik dhe taktik, duke filluar nga zelli i saj i tepruar për të ndryshuar sistemin zgjedhor, për të hartuar një Kod Zgjedhor shumë të mbrapshtë dhe për të bërë ndryshime të Kushtetutës në mënyrë blic strike dhe më vonë për të bërë një fushatë elektorale ku mbi gjithçka mungoi fryma e bashkëpunimit, e bashkërendimit për të mos thënë që PS i trajtoi aleatët e vet njëlloj si kundërshtarin kryesor politik të saj. Të gjitha këto kontribuan dhe ndërtuan për fat të keq humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, ose për të qenë më të butë, nuk i siguruan opozitës fitoren e pritshme të zgjedhjeve. Tashmë janë bërë analizat e detajuara, por gjithsesi ajo çka po ndodh pas 28 qershorit është një përpjekje për të mos lejuar në të ardhmen që të përsëriten ato fenomene negative që u vunë re gjatë zgjedhjeve të kaluara. Por që këto veprime opozitare për mendimin tim duhen përqendruar më tepër në përgatitje më të gjerë, të karakterit strategjik për të bashkuar opozitën në mënyrë shumë të ndërgjegjshme dhe realiste dhe jo me formulat e së kaluarës, ku partitë e tjera të luajnë sërish rolin e orbitës zbukuruese dhe që ato të trajtohen sipas oscilacioneve që sjell temperatura politike e ditës. Mendoni se ka një strategji të qartë se përmes kësaj rruge që po ndjek opozita mund të arrihet transparenca e zgjedhjeve, pasi vihen re qëndrime jo shumë të qarta, që ndryshojnë shumë shpejt dhe shumë iniciativa lihen në mes?Nëse do të flasim për strategji, ajo për mendimin tim është, ekziston, por jo e përpunuar dhe e miratuar qartë. Më shumë po synohet që të garantohet për të ardhmen një proces ligjor, por edhe një transparencë zgjedhore më e madhe dhe për të shmangur manipulimet e ardhshme. Pra ajo çka po bën aktualisht PS është që të parandalojë përsëritjen e këtyre skenarëve në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, të cilat ajo është e ndërgjegjshme që s’mund t’i fitojë me të njëjtat rregulla loje dhe me këtë maxhorancë në pushtet. Për mendimin tim, po luftohet që të sensibilizohet jo vetëm opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, se zgjedhjet e tjera duhet të bëhen me rregulla të tjera loje, shumë të qarta dhe shumë të monitoruara me qëllim që të mos sjellin rezultate të dyshimta si ato të 2009. Deri këtu e di që ka një strategji, më tej nuk mendoj se ka diçka tjetër të detajuar. Nën trysninë e politikës së ditës, drejt një rruge që kërkon ta kthejë transparencën për zgjedhje në një proces politik maksimal, për të lëkundur pozitat e ekzekutivit, duke shtruar kërkesën ultimative “o hapen kutitë, o largohet qeveria”. Duket se ka një qëndrim statik te kutitë, ndërkohë që një kërkesë e tillë është mohuar disa herë nga kreu i maxhorancës...Mendoj se lajtmotivi i hapjes së kutive si një tezë politike do të vijë duke u zbehur, ndërkohë që mund të marrin përparësi elementët e krizës ekonomike, të cilat prekin një numër më të madh qytetarësh shqiptarë në thelbin e interesave të tyre jetësore, duke i dhënë protestës së opozitës një dimension më të madh. Por do të varet shumë dhe nga mënyra se si do ta shohë procesin PS tani e në të ardhmen. E rëndësishme është që motivet që do të frymëzojnë lëvizjen opozitare duhet të jenë shumë të argumentuara dhe të bazuara, me qëllim që të bindin qytetarët shqiptarë se ka një kauzë pse duhet të dalin në rrugë dhe të kërkojnë, duhet të sensibilizojnë faktorin ndërkombëtar se ka një çështje serioze shqiptare që kërkon zgjidhje. Nëse opozita do të arrijë të bashkojë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj përkeqësimit të situatës së tyre ekonomike me një lloj ndërgjegjësimi të faktorit ndërkombëtar, se përtej kërkesës së opozitës për hapjen e kutive ka një problem serioz në Shqipëri, atëherë besoj se mund të ketë një situatë që do ta detyronte maxhorancën të mendohej seriozisht për të bërë kthesën dhe për t’u larguar nga këmbëngulja e verbër se në Shqipëri gjithçka shkon mirë, përveç orekseve të zotit Rama për pushtet.Ju thatë se e gjithë kjo bëhet për të vendosur disa rregulla të reja elektorale loje, kjo do të thotë se rregullat e vendosura nga PD dhe PS dështuan edhe për shkak të mungesës së besimit mes dy forcave kryesore. Mendoni se do kërkohet rianganzhimi i të gjitha partive politike në procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, përfshirë këtu dhe Kodin Zgjedhor?Në qoftë se opozita dështoi në objektivat e saj elektorale, në radhë të parë kjo ndodhi sepse PS adoptoi një sistem dhe një Kod Zgjedhor krejt të papërshtatshëm për Shqipërinë. Nëse PS kërkon realisht që të vijë në pushtet me aleatët e saj, ajo padyshim duhet të reflektojë seriozisht për të ndryshuar atë çka gatoi me synimin për të eliminuar në radhë të parë aleatët e vet. Këtu fillon dhe kthesa, ndryshimi dhe përgatitja për sfidën e ardhshme madhore, e kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme. Përndryshe, gjithçka që po investohet për një minimum transparence në disa kuti votimi do të ishte një aventurë e vogël politike. Aktorët kryesorë politikë tashmë e kanë pranuar me gjysmë zëri që mbështetur në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it se duhet të ndërhyhet në Kodin zgjedhor. Unë mendoj se nuk është fjala për korrigjime të vogla, por është shumë e rëndësishme të preket thelbi i vetë Kodit Zgjedhor dhe i sistemit, i cili çuditërisht u gatua me një formulë që nuk kishte asgjë të përbashkët me Shqipërinë, siç ishte sistemi spanjoll. Pra ju po thoni se ndryshimet që duhet të ndodhin duhet të prekin sistemin zgjedhor...I vetmi qëllim i këtij sistemi ishte eliminimi i aleatëve të “bezdisshëm”, që mund t’u shkaktonin probleme dy partive të mëdha pas marrjes së pushtetit. Që këtu fillon ndryshimi dhe nëse nuk fillon që këtu, atëherë unë mendoj se ka shumë pak shanse që në Shqipëri të ndërtohet një sistem politik funksional, që mund të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mendoj gjithashtu se ka nevojë që të përmirësohet rrënjësisht infrastruktura zgjedhore, duke filluar nga përbërja e komisioneve të të gjitha niveleve, veçanërisht kalimi nga përfaqësimi politik partiak, në kompozimin neutral, maksimalisht të komisioneve dhe grupeve të numërimit. Dhe tjetra, duhen bërë përpjekje që vota si shprehëse e vullnetit të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, të mos preket nga duart e pista të mijëra komisionerëve dhe numëruesve që janë ushtarë dhe militantë partiakë, por të kalojë drejtpërdrejtë në serverin qendror të KQZ-së, me qëllim që t’i shpëtojë manipulimeve dhe devijimeve gjatë rrugës. Pra votat të numërohen në mënyrë elektronike, në një qendër të vetme dhe përvoja botërore dhe rajonale nuk mungon. Në qendrat e votimit do të ketë një çip, ku qytetari do të fusë kartën e vet dhe do të votohet direkt përmes elektronikës dhe të mos ketë më letër votimi. Si e konsideroni pozicionimin e faktorit ndërkombëtar, i cili dhe në raportet e tij shpreh dy qëndrime dhe aspak të drejtpërdrejtë, “numërimi u bë keq ose shumë keq në 2/3 e qendrave të numërimit, por nuk pati fakte për manipulime”, qëndrime që i shfrytëzojnë forcat politike sipas interesit të tyre?Unë kam një përvojë marrëdhëniesh me ndërkombëtarët për shkak të pozicionit të Ministrit të Jashtëm për disa vjet, por dhe për faktin që jam marrë me të huajt në Shqipëri. Ka një paragjykim institucional nga ndërkombëtarë në adresë të Shqipërisë dhe vendeve si Shqipëria që, nga njëra anë u ofrojnë parimet demokratike dhe standardet evropiane, si ligjeratë teorike dhe nga ana tjetër, kur këta, nxënësit e keq ballkanas, apo konkretisht shqiptarë, nuk arrijnë të nxënë dijet teorike të politikave demokratike, u japin notë kaluese, ndonëse nuk e meritojnë një gjë të tillë, sepse ka një nivel të dytë të standardeve që janë të pranueshme për këto vende, që për rrjedhojë janë vende të kategorisë së dytë, me qytetarë të kategorisë së dytë dhe që i pret një e ardhme po e kësaj kategorie nëse do të integrohen në BE. Kjo është mënyra se si mendohen dhe formulohen qëndrimet ambigue të BE dhe në veçanti të institucioneve të tjera që merren me Shqipërinë dhe Ballkanin. Prandaj gjejmë formulime që keqpërdoren nga të dy palët sepse ato tashmë janë kthyer në një metodë pune në këtë vorbull ballkanike, që ende zien por që sigurisht mund të mos i ketë ato temperatura të larta të dikurshme. Cila do të jetë strategjia e opozitës që nga muaji i parë i vitit të ri?Nuk jemi mbledhur që të diskutojmë nëse do të ketë veprime të përbashkëta opozitare apo do të ketë veprime të veçuara të PS. Kemi tashmë mbi tre javë që mungon komunikimi i drejtpërdrejtë për të biseduar se çfarë do të bëhet në muajin janar e më tutje. Kemi dëgjuar nga kryetari i PS dhe të tjerë të saj që do të ketë manifestime opozitare të përshkallëzuara, por përtej këtij informacioni, nuk kam asnjë të dhënë tjetër. Në pritje jo të ndonjë takimi përmbyllës të vitit të ri, sepse mesa duket është konsideruar i panevojshëm, por me fillimin e vitit 2010 të mund të kemi një takim, ku do të parashtrojmë idetë dhe qëndrimet tona modeste por realiste, objektive dhe do të dëgjomë gjithashtu dhe kolegët e tjerë se si i mendojnë zhvillimet e mëtejshme të protestës opozitare. ProtestatTuri i dytë i protestave të opozitës, u zhvillua vetëm me përfaqësuesit dhe mbështetësit e PS-së. Në protestat e para 20 nëntorit 2009, protestat e opozitës në qytetet kryesore të vendit, bënë të mundur bashkimin rreth kauzës së PS-së, jo vetëm partitë e majta opozitare, por dhe ato të djathta. Protesta që lidheshin dhe me çështjet e pushtetit vendor, u zhvilluan vetëm me përfaqësues të PS-së, gjë që solli dhe pakënaqësi nga aleatët e majtë. Madje kjo mungesë e komentua në mënyra të ndryshme dhe nga drejtues të partive të majta, të cilët kërkuan të jepnin kontributin e tyre në aksionin opozitar.