E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi, rezolutë për zgjedhjet: Ishin më të mirat dhe më të drejtat

Zgjedhjet Kreu i KQZ-së, Arben Ristani: Nuk do t’i djegim fletët e votimit të 28 qershorit

Parlamenti do të miratojë një rezolutë për zgjedhjet e 28 qershorit ku theksohet se “Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mirat, më të drejtat dhe më të lira që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90, dhe se zgjedhjet e 28 qershorit përmbushën shumicën e angazhimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj OSBE-së”. Komisioni Parlamentar i çështjeve Ligjore,(pa praninë e opozitës) ka miratuar një projektrezolutë në të cilën zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar cilësohen si më të mirat dhe pa asnjë problem. Në këtë dokument, theksohet se “procesi zgjedhor i qershorit shënoi hap cilësor në rritjen e transparencës, jo vetëm për sa i përket rolit të aktorëve politikë në to, por edhe pasqyrimit të procesit të numërimit nëpërmjet kamerave dhe sistemit online të lidhjes me KQZ. KQZ e administroi me profesionalizëm procesin dhe me sukses atë, duke realizuar njëkohësisht dhe vendosjen e standardeve të reja të transparencës zgjedhore në Shqipëri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të marrë vendim për djegien e fletëve të votimit të 28 qershorit. Këtë e ka deklaruar dje në Komisionin Parlamentar të çështjeve Ligjore, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka raportuar punën e institucionit të tij.

I pyetur mbi masat që do të marrë KQZ për djegien e fletëve të votimit, kreu i KQZ theksoi se “nuk ka afat të shprehur në ligj për djegien e tyre dhe duke parë situatën aktuale politike KQZ nuk ka ndërmarrë asnjë hap të tillë, pasi nuk ka dashur t’i hedhë 'benzinë zjarrit'”. Në fakt, siç bëhet e ditur nga burime brenda KQZ-së ka qenë presioni ndërkombëtar ai që ka shtyrë në anulimin e një ndërmarrjeje të tillë, e cila pak muaj e parë shikohej si e mundshme. Në raportimin e djeshëm, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, theksoi se numërimi i votave të 28 qershorit pati parregullsi të dukshme, por nuk u manipulua. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, pranoi se qendrat numërimit u mbipopulluan nga njerëz të jashtëligjshëm, por nuk u mund të tjetërsohej rezultati.

"Të jeni të sigurt për një gjë, ka pasur vonesa në numërim, bllokime të numërimit, hyrje të njerëzve të paautorizuar, por me 100 për qind garanci, numërimi ka qenë korrekt dhe i pamanipuluar", tha Ristani. Drejtuesi i institucionit që menaxhoi zgjedhjet e 28 qershorit, pranon se kanë qenë ndërhyrjet politike ato që shkaktuan gjendjen e tanishme. Kreu i KQZ-së shprehet i zhgënjyer nga puna e Prokurorisë me komisionerët që shkelën ligjin më 28 qershor, si në rastin e Ruzhdies. Duke iu referuar këtij incidenti, Ristani vërejti se ndaj komisionerëve të PS që u larguan me vulën, po mbahet një qëndrim i ndryshëm ndaj atyre të PD. "Për mua, nuk i përgjigjet ashpërsia e dënimit fenomenit që ka ndodhur, duhet që drejtësia të veprojë më ashpër në raste të tilla, sepse ndryshe nuk e frenojmë dot fenomenin", tha ai.

Sipas raportit të KQZ, zgjedhjet e 2009-s kushtuan 624 milionë lekë, ndërkohë që kostoja për një votues të vetëm llogaritet në 197 lekë. Ndërkaq, në pyetjet e tyre, anëtarët e Komisionit të Ligjeve, kanë bërë pyetje që synonin nxjerrjen e fajit të opozitës. Alibeaj, Hoxha dhe Bumçi kanë pyetur për fajin e komisionerëve të opozitës. Në fund është miratuar një projektrezolutë, e cila thekson se zgjedhjet e 28 qershorit kanë qenë më të mirat. Në këtë dokument që duhet të miratohet në seancë plenare theksohet se “Zgjedhjet e 28 qershorit 2009 kanë qenë zgjedhjet më të mirat, më të drejtat dhe më të lira që ka realizuar Shqipëria pas viteve ‘90, dhe se këto zgjedhje përmbushën shumicën e angazhimeve të Republikës së Shqipërisë ndaj OSBE Komisioni Qendror Zgjedhor në realizimin e zgjedhjeve të 2009, pavarësisht kufizimeve të mëdha kohore, ka përgatitur dhe administruar zgjedhjet e 2009-s me profesionalizëm, si dhe ka ndërmarrë një sërë hapash për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›