E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malmstrom: Do përfitoni vizat nëse plotësoni kushtet

Komisionerja

Cecilia Malmstrom, komisionerja për punët e brendshme ka deklaruar në një intervistë për “TV Klan”, se komisioni është i angazhuar tërësisht për përshpejtimin e heqjes së vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës dhe procesi do të vlerësohet si një proces teknik. “Ajo që po pres tani është të finalizohet raporti i ekspertëve dhe unë pastaj do të lexoj të dyja raportet. Përshpejtimi varet sigurisht nga rezultatet e vetë vendeve. Ne kemi vendosur kritere, vendet e dinë se ç’duhet të përmbushin, ne mundohemi që t’i ndihmojmë, por përshpejtimi i marrjes së vendimit lidhet me progresin e këtyre vendeve", tha Malmstrom. Komisioni Europian, vijoi ajo, ka ekspertë të shteteve anëtare që e shohin përmbushjen e këtyre kritereve në aspekt shumë teknik. “Por procesi duhet të jetë i tillë. Ai duhet të jetë shumë teknik, për të qenë i besueshëm. Këto raporte po finalizohen dhe shpresoj t’i marr sapo të mbarojnë Pashkët, që t’i studioj dhe të nxjerr konkluzionet. Nuk dua të jap data të prezantimit të propozimit legjislativ tani, para se të kem lexuar raportet për të dyja vendet, pasi nuk dua të krijoj pritje të kota. Unë e kuptoj rëndësinë e heqjes së vizave sa më shpejt për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës, aq më tepër për të rinjtë e këtyre vendeve, por nëse nuk plotësohen kushtet që janë vendosur, atëherë kjo s’do të pranohet nga disa shtete anëtare", insistoi Malmstrom.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›