Rama bllokon mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Përfaqësuesi i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni, akuzoi dje kryebashkiakun Edi Rama se po bllokon zhvillimin e mbledhjes së këtij institucioni. Poni theksoi se Rama nuk po zbaton ligjin për t’iu përgjigjur interesit të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, në lidhje me taksat, projektet e pafinancuara dhe gjendjen e kopshteve të Tiranës. “Bëjmë denoncimin e radhës ndaj veprimeve obstruksioniste, penguese të kryetarit ose ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edvin Ramës, ndaj të drejtës së ligjshme që këshilli bashkiak ka për të vendosur për buxhetin e Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Poni. Mbledhja e këshillit bashkiak të Tiranës e muajit mars lidhur me buxhetin është shtyrë në pritje të 3 kërkesave të mazhorancës së këshilltarëve të bashkisë që do të mundësonin një buxhet të shëndetshëm, një buxhet efektiv, një buxhet transparent. Së pari, listën e plotë të taksave dhe tatimeve të vendosura nga Bashkia e Tiranës, nivelin e tyre me ligj dhe nivelin përkatës të vendosur nga Bashkia e Tiranës, si dhe numrin përkatës të taksapaguesve për çdo taksë, së dyti listën e projekteve të hartuara, por që nuk janë financuar dhe së treti listën e të gjithë kopshteve dhe çerdheve të Bashkisë së Tiranës dhe nivelin e ngrohjes në to”, tha Poni.
#