E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët mjekoligjorë: Hoxhallari, shkaktari i vdekjes së 17-vjeçares

Procesi

Katër ekspertë mjekoligjorë kanë rënduar situatën e mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili ndodhet përpara drejtësisë për akuzën e mjekimit të gabuar, ku si pasojë vdiq 17-vjeçarja nga Pogradeci Matilda Petriti. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, ekspertët mjekoligjorë kanë zbardhur një raport prej 50 faqesh dhe i janë përgjigjur 68 pyetjeve të hartuara nga prokuroria. Sipas raportit të katër specialistëve, “mjeku Hoxhallari i ka dëmtuar venat e gjakut vajzës 17-vjeçare, për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme, të cilat i kanë shkaktuar dhe një hemorragji të fortë”. Ekspertët deklarojnë se këto janë arsyet kryesore që kanë sjellë vdekjen e vajzës. “Ndërhyrja e parë është kryer më 6 prill 2008, por mjeku ka ndërhyrë dhe dy herë të tjera. Ndërhyrja e dytë më 14 prill të vitit të kaluar dhe ndërhyrja tjetër më 15 prill. Ai nuk e ka përshkruar gjendjen e vajzës në kartelë si dhe ka vepruar pa mendimin e specialisteve, duke mos i dhënë kurimin e duhur, sepse vajza duhet të furnizohej me gjak, veprim që do të kishte shmangur tharjen e qelizave dhe do të kishte shpëtuar jetën e saj”, deklarojnë ekspertët mjekoligjorë.

Ngjarja ka ndodhur në verën e vitit 2008 kur familjarët akuzuan mjekun si shkaktar të vdekjes së vajzës. Pas denoncimeve të të afërmve të viktimës, Prokuroria nisi hetimet ndaj mjekut Hoxhallari. Autopsia vërtetoi se 17-vjeçarja korçare humbi jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas një sërë veprimesh hetimore, organi i akuzës kryeqytetase mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Xhevahir Hoxhallarit për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Pas gjithë kësaj historie, më 22 korrik të vitit të kaluar, gjykata mori vendimin për t’i hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit mjekut Xhevair Hoxhallari, por vetëm për pjesën që ka lidhje me operacionet në shtet dhe në privat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›