Topi: Zëvendësimi i gjyqtarëve, PS të votojë
Presidenti Bamir Topi deklaroi dy ditë më parë në një intervistë televizive se do të ishte e udhës që në Parlament në momentin e votimit të gjyqtarëve në Parlament të merrte pjesë edhe Partia Socialiste. “Institucioni i Presidentit ka lançuar publikisht një shqetësim që lidhet me nevojën apo domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit për të zgjedhur anëtarë të gjykatave shumë të rëndësishme, sepse kjo do të merrte një ngjyrim tjetër në rast se do të votohej vetëm nga njëri krah”, deklaroi Presidenti Topi. Sipas tij, nevoja për opozitën në sallë vjen sepse bëhet fjalë për pushtetin e tretë. “Nuk janë një apo dy vjet në detyrë, por janë nëntë vjet për çdo anëtar, qoftë të Gjykatës së Lartë, qoftë të Gjykatës Kushtetuese, pra po t’i marrësh në mënyrë kompleksive janë dhjetë anëtarë në dy gjykata, të cilat në total përbëjnë nëntëdhjetë vjet”, deklaroi Topi. Nisur nga kjo Topi theksoi se për këtë çështje kërkohet një vëmendje maksimale.
#