E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen takon Metën: Vizat brenda vitit 2010

Sarajevë Ministri i Jashtëm takon presidentin e PSE-së, Poul Narup Rasmussen

Liberalizimi i vizave është më se i sigurt se do të realizohet brenda vitit 2010. Në pritje të një vendimi zyrtar, qytetarët shqiptarë janë të detyruar të besojnë premtimet e zyrtarëve të Brukselit që duhet thënë se kohët e fundit janë thuajse të përditshme. Kështu edhe dje, takimi i Partive Europiane Socialiste, i mbajtur në Sarajevë ka riprodhuar deklarata të ngjashme kësaj radhe të artikuluara nga Presidenti i PSE, Poul Narup Rasmussen. Sipas njoftimeve zyrtare të Ministrisë së Jashtme, aktiviteti me temë “Shoqëritë Progresiste në Ballkan”, nuk ka lënë pa prekur edhe çështjen e ndjeshme të vizave për dy vende që ende presin një vendim final, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Sipas Rasmussen, vendimi për liberalizimin do të merret në qershor të këtij viti, një afat kohor që përputhet edhe me premtimin elektoral të shumicës aktuale. Pavarësisht se ky është një akt që kërkon një votë miratuese të dyanshme, qëndrimet e socialistëve europianë janë një sinjal pozitiv që hap rrugën drejt realizimit të procesit. Nga ana tjetër, sikurse është lajmëruar, në aktivitet kanë qenë të pranishëm kreu i PS, Edi Rama, dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ky i fundit në cilësinë edhe të ministrit të Jashtëm ka folur rreth bashkëpunimit rajonal, i cili, sipas tij, nuk mund të pengohet më nga kritikat dhe paragjykimet tradicionale. “Unë jam i vendosur, që pavarësisht kritikave të artikuluara prej disa zërave pa ndikim në vendin tim, të vazhdoj me këmbëngulje punën... për të krijuar realitete të standardeve europiane edhe në bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve”, është shprehur Meta në fjalën e tij. Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Serbi, ministri shqiptar ka mbajtur në vëmendje të aktivitetit një axhendë shtetërore për të lënë jashtë diskutimit problematikën që ka mbërthyer të majtën shqiptare. Ndërkaq, selia rozë nuk ka përcjellë informacione rreth aktivitetit të kreut të saj, Edi Rama, në një takim që ka rëndësi edhe për shkak të kontakteve me personalitete me peshë në jetën parlamentare të Bashkimit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›