E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi rikthen për votim paktin detar me Greqinë

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi përfshin sërish në axhendën e punimeve marrëveshjen me Greqinë për ndarjen e kufijve detarë. Në programin e punës së Kuvendit, që përfshin periudhën nga 16 nëntori deri më 24 dhjetor, është përshirë projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, i paraqitur nga qeveria më 22.06.2009. Kryetarja e Kuvendit në seancën e mbrëmshme parlamentare në miratimin e programit dhe të kalendarit bëri të ditur se axhenda e diskutimit të projektligjeve është miratuar me konsensus. Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë ende vendimin e saj mbi ankimin e bërë nga partitë e opozitës, mbi marrëveshjen e firmosur në muajin prill mes dy ministrave të Jashtëm, Kuvendi e ka përfshirë në rendin e ditës një gjë të tillë. Gjykata më supreme në vend, fillimisht ktheu mbrapsht kërkesën e paraqitur nga partitë e opozitës, që kryesohet nga PS-ja për plotësim kërkesën. Ndërsa pas disa ditëve, partitë riparaqitën dokumentacionin e kërkuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në bazë të ligjit, brenda një muaji, Gjykata Kushtetuese duhet të japë vendimin e saj në lidhje me ankimimin e bërë nga pesë partitë opozitare kundër marrëveshjes së ndarjes së kufijve. Brenda 9 dhjetorit, teorikisht kjo gjykatë duhet të japë mendimin e saj. Ky afat duket se ka bërë që Kuvendi të mos ta përfshijë marrëveshjen në kalendarin e punimeve tre javore nga 16 nëntori deri më 3 dhjetor. Në këtë program pune, që përfshin edhe fundin e sesionit të parë të këtij Kuvendi, në faqen 4, si pikë e 16, parashikohet që marrëveshja të diskutohet nga komisionet parlamentare të Ligjeve, të Jashtëm dhe të Sigurisë Kombëtare. Në një kohë që Komisioni Parlamentar i Ligjeve e ka përfunduar një procedurë të tillë, duke e shqyrtuar marrëveshjen, ndërsa ka mbetur pa u shqyrtuar nga dy komisionet e tjera. Në këtë fundviti, Kuvendi në bazë të programit të punimeve i duhet të shqyrtojë dhe marrëveshjen e dytë me fqinjin jugor, atë për ngritjen e dy varrezave të ushtarakëve grekë në territorin e vendit tonë, të cilët kanë rënë gjatë luftës greko-italiane në vitet 1940-1941. Në këtë pakt të miratuar nga qeveria, më 29 prill të vitit 2009 kërkohet ngritja e dy varrezave në Këlcyrë dhe në Bularat të Gjirokastrës. Kuvendi ka shtyrë për të enjten e ardhshme votimin e projektligjit “Antimafia”, i cili po kontestohet shumë nga ana e juristëve dhe opozitës. Votimi i saj ishte parashikuar për dje, por një gjë e tillë u shty nga vetë konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare. Në kalendarin e punimeve parlamentare të këtij trijavësh janë përfshirë votimi i disa projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Të tilla janë Kodet e ndryshme, si dhe draftin “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative”. Ku draft që parashikon ngritjen e gjykatës administrative është për t’u votuar në seancën parlamentare të datës 19 nëntor. Në seancën e 3 dhjetorit është parashikuar votimi i projektligjit “Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Njëkohësisht do të shqyrtohet dhe “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.

Kufiri, Greqia: Do e ratifikojmë shpejt paktin

Qeveria greke reagon për herë të parë lidhur me marrëveshjen mes Athinës dhe Tiranës për përcaktimin e kufirit detar mes tyre. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigori Dhelavekuras, vlerësoi paktin detar si forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve. “Nënshkrimi e kësaj marrëveshjeje për përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve është përshëndetur disa muaj më parë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe dhe një parathënie e rëndësishme e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve”, tha zëdhënësi diplomacisë greke. Sipas tij, procedurat e ratifikimit janë çështje të brendshme të të dy vendeve, por shtoi se pala greke do ta ratifikojë atë në Parlament shumë shpejt. “Mënyra në të cilën edhe procedurat që ndiqen nga secili vend, që të vazhdojë me ratifikimin, është një çështje e brendshme e çdo vendi. Për pjesën e saj, Greqia do të shkojë shumë përpara, në mënyrë që procesi së shpejti të mund të ratifikohet dhe vihet në fuqi”, theksoi Dhelavekuras.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›