E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Në protestë edhe për çmimin e energjisë

 

Kreu socialist Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që më 20 nëntor të protestojnë dhe për çmimin e energjisë. Këtë deklaratë, Rama e bëri në tryezën e organizuar dje në Hotel “Tirana” me temë “Energjia, Rritja e çmimit, Efekti social”, ku u evidentuan efektet për ekonominë e shqiptarëve të rritjes së çmimit të energjisë. Në këtë tryezë me ekspertë të sektorit të energjisë ka munguar Drejtori i Përgjithshëm i ERE. Rama tha se rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë elektrike shton ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare. “Kur do të përfundojë faturimi aforfe, kur do të instalohen të gjithë matësit e energjisë elektrike, kur do të largohet nga jeta e qytetarit shqiptar faturuesi i fundit abuziv? Kur do të mbarojnë humbjet joteknike në sistemin energjetik shqiptar? Banka e Shqipërisë raporton se në 8 muajt e parë të vitit, humbjet janë më të larta se një vit më parë. Kur do të rriten kapacitetet transmetuese të importimit të energjisë elektrike. Këto kapacitete mbahen të kufizuara, gjë që ka sjellë që importimi të vazhdojë të mbahet në disa duar të caktuara, që sot janë duart brenda dhe jashtë shtëpisë së Sali Berishës”, theksoi Rama. Kreu socialist e cilësoi dështim total menaxhimin e sektorit të energjisë, që sipas tij po u kushton më shtrenjtë xhepave të familjeve shqiptare. “Shteti ka dështuar në krijimin dhe mirëfunksionimin e një modeli normal të tregut të energjisë, shteti ka dështuar në garantimin e një niveli të arsyeshëm të pavarësisë energjetike të vendit, shteti ka dështuar në rritjen e burimeve energjetike të vendit, shteti ka dështuar në rritjen e kapaciteteve transmetuese të energjisë elektrike në vend, shteti ka dështuar në integrimin e sistemit tonë energjetik me atë të rajonit, shteti ka dështuar në menaxhimin e sistemit energjetik – keqmenaxhim, madje ka dështuar në transparencën e prokurimeve për energjinë – asnjë transparencë”, u shpreh kryetari socialist. Në tryezën e djeshme ka qenë i ftuar edhe drejtuesi i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, i cili u tha socialistëve që në anën tjetër edhe opozita nuk e ka një strategji të saj për energjinë. “Në fjalën e zotit Rama vlerësoj sinqeritetin kur ai tha se problemet në tregun e energjisë elektrike vijnë nga një periudhë prej 18 vjetësh keqqeverisje, ndërkohë që i bie që gjysma e këtij mandati të jetë i PS, që do të thotë se këtu duhet folur me sinqeritet. Desha të dija alternativën e ekspertëve që ju keni në krahë, që besoj se duhet të kenë përgatitur një qëndrim”, tha Buxhuku. Sipas tij, “Partia Socialiste nuk mund të mohojë, siç ka bërë në disa raste, projekte të cilat na serviren. Konkretisht për projektin e TEC-it të Durrësit”. Për deputetët e PS, Arben Ahmetaj dhe Ilir Beqja që e morën fjalën, ky sektor është i gjymtuar financiarisht dhe rritja e çmimit hap hapësira të mëdha korrupsioni. Strategjitë e munguara, sipas socialistëve, në sektorin e energjisë kanë shkaktuar reagimin e disa bizneseve.                               a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›